Porti i përkohshëm i ndërtuar në bregdetin e Gazës nga ushtria amerikane me qëllimin për të transportuar ndihma atje, është ndarë në disa pjesë në det, duke shënuar një goditje të madhe ndaj përpjekjeve të udhëhequra nga Amerika për të krijuar një korridor detar për furnizimet humanitare në enklavën e shkatërruar nga lufta.
Katër zyrtarë amerikanë kanë thënë se një pjesë e portit, e cila përbëhet nga një rrugë e ngushtë për të çuar ndihmat në Gaza dhe një zonë më e gjerë parkimi për të hequr furnizimet e transportuara me anije, është shkëputur të dielën. Zona e parkimit do të duhet të rilidhet me rrugën përpara se porti të jetë në gjendje të mund të përdoret përsëri, raporton CNN.
Problemi erdhi një ditë pasi valët në det detyruan dy anije të vogla të ushtrisë amerikane të dilnin në plazh në Izrael, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.
Përpjekjet për të rimontuar rrugën dhe për ta lidhur atë edhe një herë me zonën e parkimit do të rifillojnë kur kushtet e detit të lejojnë, thanë zyrtarët.
Porti i cili kushtoi 320 milionë dollarë, kishte filluar të funksiononte vetëm më 17 maj kur valët detyruan dërgesat detare të ndalonin një javë më vonë, më 24 maj - dy ditë përpara se një pjesë e portit të shkëputej. Është e paqartë se kur do të rifillojnë dërgesat.
Porti i përkohshëm, i quajtur Joint Logistics Over the Shore (JLOTS), kërkon kushte shumë të mira detare për të funksionuar.
SHBA-ja ka theksuar se porti i përkohshëm ka për qëllim vetëm të shtojë dërgesat humanitare që kalojnë nëpër vendkalimet tokësore midis Izraelit dhe Gazës.
Të enjten, zëvendësadmirali Brad Cooper, zëvendës komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së, ka thënë se 820 tonë ndihma ishin dorëzuar përmes portit në plazhin e Gazës, ku Kombet e Bashkuara ishin përgjegjëse për shpërndarjen e saj tek popullsia palestineze.