NATO-ja ka nënshkruar një kontratë gati 700 milionë dollarë për t'i bërë vendet anëtare të prodhojnë më shumë raketa “Stinger”, një nga shumë hapat që aleanca po bën në samitin e saj në Washington për të detyruar secilin vend të rrisë aftësitë e veta të prodhimit të armëve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në largim, Jens Stoltenberg njoftoi kontratën të martën duke theksuar fokusin në rritjen e aftësive prodhuese të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s për të penguar sulmet e ardhshme.
"Nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes”, ka thënë Stoltenberg.
“Stinger” është një sistem mbrojtës portativ tokë-ajër që mund të bartet dhe të gjuhet nga trupat ose të montohet në një automjet dhe të përdoret si mbrojtje me rreze të shkurtër kundër avionëve. Sistemi i prodhuar nga Raytheon ishte një nga armët e para që SHBA-ja dërgoi në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022.
Samiti i NATO-s po zhvillohet në një sfond pasigurie: ndarjet politike të SHBA-së vonuan armët për Ukrainën me muaj të tërë dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale po ngrenë shqetësimin se mbështetja e SHBA-së në rast kërcënimesh kundër vendeve anëtare mund të mos jetë gjithmonë e garantuar.
Donald Trump, kandidati i supozuar republikan, është mburrur gjatë fjalimeve të fushatës se do të inkurajonte Rusinë të bënte ashtu siç dëshironte me anëtarët e NATO-s që nuk përmbushin angazhimin e tyre për të shpenzuar 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtje.
Nga 32 anëtarë të NATO-s, 23 pritet të përmbushin angazhimin prej 2% këtë vit, nga vetëm gjashtë sa e përmbushnin para pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Që nga pushtimi, SHBA-ja ka ofruar më shumë se 53.6 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë sigurie për Ukrainën.
Pjesa tjetër e anëtarëve të NATO-s dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë ofruar gjithsej rreth 50 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë sigurie, sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, një organizatë e pavarur kërkimore me qendër në Gjermani.