Botë

NATO-ja mund të kishte bërë më shumë për ta parandaluar luftën në Ukrainë, thotë Stoltenberg

Jens Stoltenberg

Jens Stoltenberg

Foto: Associated Press

Kreu në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleanca veriatlantike mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë.

Në një intervistë për gazetën gjermane “FAS”, të publikuar të shtunën, Stoltenbergu ka thënë se kjo do të bëhej e mundur me armatimin e Ukrainës para se të niste pushtimi.

“Tani ne furnizojmë me pajise ushtarake një luftë, atëherë mund të kishim siguruar sende ushtarake për të parandaluar luftën”, është shprehur Stoltenberg. 

Stoltenbergu vuri në dukje hezitimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut për të ofruar armët që Kievi i kishte kërkuar përpara pushtimit të plotë të Rusisë, për shkak të frikës se tensionet me Rusinë do të përshkallëzoheshin.

Pas fillimit të luftës, Kievi, i cili nuk është anëtar i NATO-s, mori një sistem armësh nga aleatët e tij, pas hezitimit fillestar.

Stoltenbergu, një ish-kryeministër i Norvegjisë, do të tërhiqet në tetor nga roli i tij në NATO, të cilin e mban që nga viti 2014. Ish-kryeministri holandez, Mark Rutte u shpall në qershor si shefi i ardhshëm i organizatës.

Në intervistë, Stoltenbergu ka deklaruar se fundi i luftës në Ukrainë do të arrihet vetëm në tryezën e bisedimeve.

"Për t'i dhënë fund kësaj lufte do të duhet të ketë përsëri dialog me Rusinë në një fazë të caktuar. Por ai duhet të bazohet në forcën ukrainase”, ka thënë ai.