Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar të martën se aleanca po fillon një mision të ri për të mbrojtur kabllot nënujore në rajonin e Detit Baltik.
Rutte ka thënë në një takim në Helsinki me krerët e vendeve të NATO-s që ndodhen në Detin Baltik se përpjekja do të quhet “Baltic Sentry”, raporton AP.
“Do të përfshijë një sërë asetesh, duke përfshirë avionët e patrullimit detar, ndër të tjera, dhe do të rrisë vigjilencën tonë në Baltik”, u ka thënë Rutte gazetarëve.
Ai ka thënë gjithashtu se një flotë e vogël dronësh detarë do të vendoset "për të ofruar mbikëqyrje dhe parandalim të zgjeruar".
Takimi pason një varg incidentesh në Baltik që kanë rritur shqetësimet për aktivitetet e mundshme ruse në rajon.
Duke njoftuar operacionin e ri, Rutte ka vënë në dukje se më shumë se 95% e trafikut të internetit sigurohet nëpërmjet kabllove nënujore, dhe se 1.3 milionë kilometra kabllo garantojnë një vlerë prej 10 trilion dollarësh transaksione financiare çdo ditë.
"Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t'u siguruar që të luftojmë kundër, se ne jemi në gjendje të shohim se çfarë po ndodh dhe më pas të marrim hapa për t'u siguruar që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen”, ka thënë Rutte.