Ministri i Jashtëm libanez, Abdallah Bou Habib i ka thënë CNN-it se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte pajtuar me një armëpushim 21-ditor, pak ditë para se të vritej nga Izraeli.
Armëpushimi i përkohshëm ishte kërkuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, homologu i tij francez, Emmanuel Macron dhe aleatë të tjerë javën e kaluar, gjatë takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Ai ishte pajtuar. Ne jemi pajtuar të gjithë. Libani ishte pajtuar për armëpushim, natyrisht në konsultim me Hezbollahun. Ne i kemi informuar amerikanët dhe francezët se çka kishte ndodhur. Ata na thanë se edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po ashtu ishte pajtuar me kërkesën e lëshuar nga dy presidentët (Bideni dhe Macroni)”, ka deklaruar Habib.
Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Amos Hochstein, ishte caktuar më pas të shkonte në Liban për të negociuar armëpushimin, sipas Habib.
“Ata na thanë se Netanyahu ka rënë dakord për këtë dhe kështu ne gjithashtu morëm miratimin e Hezbollahut për këtë dhe ju e dini se çfarë ndodhi që atëherë”, ka shtuar Habib.
Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit të premten në periferitë jugore të kryeqytetit libanez Bejrut.
Një ditë më parë, përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Australia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar dhe Katari u bë thirrje për një armëpushim 21-ditor "për t'i dhënë diplomacisë një shans për të pasur sukses dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm përtej kufirit”.
LEXO EDHE: