Shefi i mbikëqyrjes atomike i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi i ka kërkuar udhëheqjes së Iranit të martën që të ndërmarrë hapa për t’i zgjidhur problemet afatgjata me agjencinë e tij, një ditë para se të arrijë në Teheran për bisedime rreth programit bërthamor iranian, raporton Reuters.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për muaj të tërë është përpjekur të bëjë progres me Iranin rreth problemeve, duke përfshirë shtytjen për më shumë bashkëpunim koordinues në zonat nukleare dhe gjurmimin e uraniumit të gjetur në zona të padeklaruara.
Por, përpjekjet e Grossit s’kanë pasur rezultat dhe me rikthimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili pritet t’i rikthejë politikat me presion maksimal ndaj Iranit, udhëtimi i Grossit të mërkurën duhet të japë indikacione për mënyrën se si dëshiron të veprojë Irani gjatë muajve të ardhshëm.
“Jam larg arritjes së shpjegimit për komunitetin ndërkombëtar rreth asaj që po ndodh. Jam në një pozicion të vështirë. Në një mënyrë Irani duhet të na ndihmojë neve, në mënyrë që t’i ndihmojmë njëfarë shkalle”, ka thënë Grossi në prapavijat e samitit të klimës COP29 në Baku.
Irani e ka rritur aktivitetin nuklear që nga viti 2019, pasi Trumpi gjatë mandatit të parë e ka braktisur marrëveshjen nukleare të vitit 2015 të bërë nga Irani me fuqitë botërore, përmes së cilës e ka frenuar pasurimin dhe e ka goditur me sanksione të ashpra amerikane Republikën Islamike. Puna e Iranit për pasurim është parë nga Perëndimi si përpjekje e maskuar për ta zhvilluar aftësinë e armëve bërthamore.
Teherani tani po e pasuron uraniumin në deri 60 për qind pastërti të zbërthyeshme, afër 90 përqindëshit të nevojshëm për bombë bërthamore. Vendi ka mjaft uranium për të prodhuar rreth katër bomba bërthamore, nëse rafinohet më tej, sipas një matësi të IAEA-së.
Irani për kohë të gjatë i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se po pasuron uraniumin për përdorime të energjisë civile.
Udhëtimi i Grossit ndodh një javë para se bordi i guvernatorëve të 35 kombeve i IAEA-së të takohet në Vjenë me palët evropiane sipas marrëveshjes së vitit 2015 – Britania, Gjermania dhe Franca – për të shqyrtuar nëse do ta rrisë presionin ndaj Iranit, nisur nga mungesa e bashkëpunimit.
Raporti i kaluar i agjencisë në qershor ka thënë se i mungojnë njohuritë kryesore të programit, për shkak se nuk ka qenë në gjendje të kryejë aktivitete verifikuese dhe montuese për më shumë se tre vjet e gjysmë.
“Mendoj se situata vazhdon të degradohet vetë. Programi i tyre bërthamor rritet dhe ne nuk kemi shkallën e njohurisë që na nevojitet në zonat që janë të ndjeshme, si prodhimi i centrifugave dhe të tjerave”, ka thënë Grossi.
Ishte “e domosdoshme” marrja e rezultateve rreth monitorimit dhe aktiviteteve të pashpjeguara, ka thënë ai.
Grossi ka thënë se ishte i zhgënjyer që Teherani nuk ishte riangazhuar më shpejt, pavarësisht se ka marrë propozime pozitive në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, por se përkeqësimi i situatës gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe sulmet kokë më kokë mes Izraelit dhe Iranit mund të ketë qenë pas kësaj.
“Në njëfarë mase, Irani duhet të bëjë investim në agjenci duke na besuar dhe duke na lejuar të shohim më shumë sesa do të duhej ligjërisht, sepse deficiti është i madh”, ka thënë ai.