Botë

Myslimanët në Evropë përjetojnë ngritje shqetësuese të diskriminimit, zbulon sondazhi

mysliman

Myslimanët në Evropë po përballen me një “rritje shqetësuese” të racizmit që po ushqehet pjesërisht nga “retorika çnjerëzore anti-islame”, ka thënë agjencia kryesore e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut. Në një sondazh të publikuar ka dalë se gati gjysma e të anketuarve myslimanë kanë thënë se kohët e fundit kanë përjetuar diskriminim.

I publikuar të enjten nga Agjencia për të Drejtat Themelore (FRA), sondazhi me 9,600 myslimanë nga 13 shtete anëtare të BE-së gjeti se racizmi dhe diskriminimi është pjesë në shumë aspekte në jetën e tyre.

Njerëzit thanë se fëmijët bullizohen në shkollë, se ka pabarazi në mundësitë për punë dhe paragjykime kur bëhet fjalë për blerje apo qiramarrje të shtëpive.

Edhe pse sondazhi u krye para se të ndodhte sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael, që çoi në luftën në Gazë, agjencia me bazë në Vjenë ka thënë se informacionet nga organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet kombëtare sugjerojnë se numri i incidenteve kundër myslimanëve ka vazhduar të rritet që kur shpërtheu konflikti atje, ka shkruar "The Guardian". 

“Ne po dëshmojnë një ngritje shqetësuese të racizmit dhe diskriminimit kundër myslimanëve në Evropë”, ka thënë drejtoresha e agjencisë, Sirpa Rautio. “Kjo nxitet nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe përkeqësohet nga retorika çnjerëzore anti-myslimane që shohim në të gjithë kontinentin”.

Agjencia evropiane që ka folur me myslimanët në Austri, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Spanjë dhe Suedi, ka gjetur se 47% raportuar se kishin përjetuar racizëm në pesë vite para vitit 2022, nga 39% më 2016.

“Çfarë shohim është se gjendja e myslimanëve po përkeqësohet. Po bëhet më e ndërlikuar të jetosh si mysliman në BE”, ka thënë Vida Beresneviciute, bashkautore e sondazhit.

Shkalla e diskriminimit të raportuar duket se është e lidhur ngushtë me ngritjen e së djathtës ekstreme. Në Austri, ku Partia e Lirisë që është kundër imigracionit u shfaq së fundmi si partia më e votuar, 71% e myslimanëve raportuan se kanë përjetuar racizmin. Në Gjermani, ku partia Alternativa për Gjermaninë po fiton vazhdimisht, 68% raportuan diskriminim.

Përreth 13 shteteve anëtare, 39% e myslimanëve raportuan diskriminim në tregun e punës, me 41% që punojnë punë për të cilat janë të mbikualifikuar.

Një e treta e të anketuarve thanë se kanë pengesa në blerjen ose marrjen me qira të shtëpive për shkak të diskriminimit.

Pasojat e këtij racizmi kanë efekte të gjata. Myslimanët kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri, të jetojnë në ndërtesa të mbipopulluara dhe janë 2.5 herë me më shumë gjasa të jenë me kontrata të përkohshme. Të anketuarit ishin tri herë me më shumë gjasa të linin shkollën herët sesa popullsia e përgjithshme në të gjithë BE-në.

Veçanërisht shqetësuese ishin përjetimet e myslimanëve të rinj, ka thënë Beresneviciute. Më shumë se gjysma e myslimanëve të lindur në Evropë (55%) kanë thënë se ata janë ndier të diskriminuar kur kanë kërkuar punë në 5 vitet e fundit, çka sugjeron se ata nuk janë trajtuar barabartë pavarësisht se kanë pasur kapacitete gjuhësore dhe kualifikim.

“Është e tmerrshme”, ka theksuar Beresneviciute, e cila shtoi se shumë myslimanë raportuan diskriminim pasi ndiheshin të shënjestruar për shkak të fesë të tyre si dhe për ngjyrën e lëkurën dhe prejardhjen e tyre etnike apo edhe pse ishin migrantë.

Gratë që veshin veshjet fetare, si shamitë, po ashtu raportuar shkallë të lartë të diskriminimit në tregun e punës. Te gratë e moshave nga 16 deri 24 vjeç me veshje të tilla, shkalla e raportuar e diskriminimit ishte 58%.

Shumë pak mendonin se ishte e dobishme të raportonin përvojat e tyre, me vetëm 6% që thanë se kishin paraqitur ankesë për një incident.

Agjencia për të Drejtat Themelore u bëri thirrje shteteve anëtare që të implementojnë masa më të ashpra kundër diskriminimit dhe urrejtjes, si dhe të mbledhin të dhëna për barazinë, duke përfshirë origjinën etnike ose racore, për të lejuar politikbërësit të përcaktojnë objektiva më të mira dhe të bëjnë përparim. Ndryshe nga Britania e Madhe, shumica e shteteve të BE-së nuk mbledhin të dhëna mbi diversitetin racor ose etnik.

Ky sondazh vjen pas raportit të vitit të kaluar që gjeti se gati gjysma e njerëzve të racës së zezë në BE raportuan se ishin të diskriminuar dhe një sondazhi tjetër ku gati të gjithë të anketuarit hebre raportuan se përjetonin akte të antisemitizmit.

Duke i marrë të gjitha, raportet sugjerojnë se “racizmi dhe diskriminimi racor janë fenomene të vazhdueshme në të gjithë BE-në dhe se duhet të adresohet”, ka theksuar Beresneviciute. “Ato pa ndonjë përpjekje specifike, nuk zhduken”.