Donald Trumpi po përgatitej të nënshkruante një urdhër ekzekutiv të martën për vazhdimin e zbvogëlimit të fuqisë punëtore federale, teksa pranë tij në Zyrën Ovale u shfaq Elon Musk, një paraqitje e rrallë e përbashkët midis presidentit dhe këshilltarit të tij më të fuqishëm.
Associated Press ka parë urdhrin, i cili synon të avancojë punën e Muskut për uljen e shpenzimeve, me Departamentin e tij të Efikasitetit të Qeverisë.
Musku ka thënë se populli ka votuar për reformën dhe se kjo do të ndodhë.
"Populli votoi për reformën e madhe të qeverisë dhe kjo është ajo që njerëzit do të marrin. Kjo është ajo me çka ka të bëjë demokracia”, ka thënë Musk.
Ishte hera e parë që Musku merrte pyetje nga gazetarët që kur iu bashkua administratës Trump si një punonjës i posaçëm i qeverisë me ndikim të madh mbi agjencitë federale. Ai është gjithashtu personi më i pasur në botë dhe pronar i X, platforma e mediave sociale e njohur më parë si Tëitter.
Urdhrin që e ka parë AP-ja thotë se "agjencitë do të ndërmarrin plane për reduktime në shkallë të gjerë dhe do të përcaktojnë se cilët përbërës të agjencisë (ose vetë agjencitë) mund të eliminohen ose kombinohen sepse funksionet e tyre nuk kërkohen me ligj".
Ai gjithashtu thotë se agjencitë duhet "të punësojnë jo më shumë se një punonjës për çdo katër punonjës që largohen nga shërbimi federal".
Trump dhe Musk po i shtyjnë punonjësit federalë të japin dorëheqjen në këmbim të stimujve financiarë, megjithëse plani i tyre aktualisht është në pritje teksa një gjykatës po shqyrton ligjshmërinë e tij.
Programi i dorëheqjes do t'i lejojë punonjësit të largohen dhe të paguhen deri më 30 shtator.
Zyrtarët e administratës kanë thënë se më shumë se 65,000 punëtorë e kanë pranuar ofertën.