Botë

Musku mbështet AfD-në në zgjedhjet në Gjermani

Elon Musk

Miliarderi amerikan Elon Musk mbështeti Alternativën për Gjermaninë (AfD) në një opinion të shkruar për gazetën gjermane “Welt am Sonntag” të botuar të shtunën. Redaktorja e opinioneve në këtë gazetë dha dorëheqjen pas reagimeve të shumta. 

Në opinion, Musku shkruan se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë.

“Portretizimi i AfD-së si ekstremistë të krahut të djathtë është qartësisht i rremë, duke marrë parasysh që Alice Weidel, liderja e partisë, ka një partnere të gjinisë së njëjtë nga Sri Lanka! A ju duket si Hitleri? Ju lutem!”, shkroi Musk ndër të tjera.

Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane e ka klasifikuar AfD-në në nivel kombëtar si rast të dyshuar të ekstremizmit që nga viti 2021.

Menjëherë pas botimit të opinionit, redaktorja e opinioneve, Eva Marie Kogel, shkroi në “X” se kishte dorëzuar dorëheqjen.

Kryeredaktori i gazetës, Jan Philipp Burgard dhe Ulf Poschardt, që do ta zëvendësojë Kogelin nga 1 janari si redaktor i opinioneve në “Welt am Sonntag”, kanë thënë se opinioni i Muskut ishte “shumë demaskues”.

“Diagnoza e Muskut është e saktë, por qasja e tij terapeutike, se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë, është fatalisht e rreme”, shkroi Burgard, duke iu referuar dëshirës së AfD-së për t'u larguar nga Bashkimi Evropian dhe për të kërkuar afrimin me Rusinë, si dhe për të qetësuar Kinën.

Mbështetja e AfD-së nga Musku, i cili mbrojti të drejtën për të marrë anë në politikën gjermane për shkak të “investimeve të rëndësishme”, vjen pak javë pasi gjermanët do t’i drejtohen kutive të votimit (23 shkurt) për të zgjedhur qeverinë e re pas rënies së Olaf Scholzit.  

Sipas sondazheve, AfD-ja do të dalë e dyta në zgjedhje. Por partitë kryesore në Gjermani, më shumë centriste, janë zotuar të shmangin çdo mbështetje nga ekstremi i djathtë për të krijuar qeverinë.