Botë

Mungon përmbajtja në natën festive: Dhjetëra viktima të sulmeve në SHBA, Gazë e Ukrainë

incidente-feste

Ngjarje të rënda kanë përjetuar disa shtete në natën e ndërrimit të moteve. Në Shtetet e Bashkuara mbetën 10 persona të vdekur, pasi u shtypën nga një sulm me kamion, ndërsa nga raketa e dronë dhjetëra civilë u vranë në vende në gjendje lufte, si në Gazë e Ukrainë.

Teksa anembanë botës Viti i Ri u prit me fishekzjarrë dhe shpresë për ndryshim, edhe shtete që nuk janë në luftë u përballën me ngjarje të rënda në natën festive. 

Në New Orleans të Shteteve të Bashkuara një person goditi me kamion turmën e njerëzve që po festonin. Nga ta 10 kanë mbetur të vdekur e mbi 30 të tjerë kanë marrë lëndime.

“Associated Pres” ka raportuar se i dyshuari është vrarë gjatë përleshjes me policinë, pak kohë pas sulmit.

Kryeinspektoria e Policisë, Anne Kirkpatrick, ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur pas orës 3:00 të mëngjesit.

Sipas saj, burri ka vepruar qëllimshëm, por nuk ka folur për motivet që e kanë shtyrë ta kryente krimin.

“Kjo ngjarje filloi rreth orës 3:15, sipas kohës lokale. Ajo përfshin një burrë që në rrugën ‘Bourbon’ drejtonte një kamion me shpejtësi shumë të lartë dhe sjellja konsiderohet e qëllimshme. Ky njeri po përpiqej të shkelte sa më shumë njerëz që të mundej”, ka deklaruar ajo.

Vendet që janë në luftë nuk janë kursyer nga sulmet as në natën festive.

Në mëngjesin e së mërkurës Rusia e goditi kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Si pasojë e sulmeve me dronë dy persona mbetën të vdekur dhe gjashtë të lënduar.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyyu, i cili përmes  një postimi në mediat sociale ka thënë se edhe në natën e Vitit të Ri, Rusia kujdeset vetëm se si t’i bëjë keq Ukrainës.

Të njëjtën natë, në Rripin e Gazës, të paktën 12 palestinezë u vranë si pasojë e sulmeve izraelite.

Viktimat kryesisht janë gra dhe fëmijë, bënë të ditur zyrtarët shëndetësorë palestinezë. 

Ushtria izraelite goditi zonën veriore, qendrore dhe jugore të Gazës, me arsyen se cak ka pasur militantët e grupit Hamas, të cilët i fajëson se po operojnë nga vendet që janë përcaktuar për civilë.  

E në Siri, shtetin që për më shumë se një dekadë u ndodh në luftë, Viti i Ri u kremtua në mënyrë më të veçantë, pasi populli sirian po shijon lirinë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit. Pas një periudhe të gjatë konflikti dhe shtypjeje, qytetarët festuan me entuziazëm shpresën për një të ardhme më paqësore.