Temperaturat kanë shkuar në mbi 50 gradë Celsius në pjesët veriore dhe qendrore të Indisë, ndërsa shteti po përballet me valën e të nxehtit ekstrem, raporton “BBC”.
Këtë javë, mbi 37 qytete në Indi kanë regjistruar temperatura mbi 45 gradë Celsius. Të martën, temperatura në zonat Narela dhe Mungeshpur të kryeqendrës Delhi, kanë arritur rekord prej 49.9 gradë Celsius.
Shërbimi meteorologjik i Indisë ka lëshuar paralajmërim për valë ekstreme të të nxehtit në pjesë tjera të qytetit.
Një gjykatë në Delhi ka vendosur të martën që t’i shtyjë seancat për një datë tjetër, pasi gjykatësi tha se është tepër nxehtë të punohet pa klimë.
Churu në shtetin perëndimor të Indisë, Rajasthan dhe Sira në shtetin verior Haryana, kanë regjistruar temperaturat më të larta, duke kaluar mbi 50 gradë Celsius.
Në qytetin Jaipur të Rajasthanit janë regjistruar tre të vdekur për shkak të nxehtit të martën.
Verat në Indi, që shtrihen nga marsi në shtator, janë zakonisht shumë të nxehta.
Por, shërbimi meteorologjik i Indisë ka thënë se vendi do të përjetojë vera më të gjata dhe valë më ekstreme të të nxehtit këtë vit.
Këtë muaj, shtetet Rajasthan dhe Gujarat regjistruan nëntë ditë me të nxehtë ekstrem, ku temperaturat silleshin mes 45 dhe 50 gradë Celsius.
Në qershor, temperaturat maksimale me gjasë do të mbesin mbi normalen.