Rënia në prodhimin e opiumit në Afganistan, me urdhër të autoriteteve talebane, mund të çojë në rritje të numrit të vdekjeve nga mbidoza në mbarë botën.
Të varurit nga heroina po kalojnë në drogat sintetike që janë gjithnjë e më të përhapura në Evropë, paralajmëron një raport i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) i publikuar të mërkurën.
Opiumi, i cili përdoret për prodhimin e heroinës, ra me 95 për qind në Afganistan vitin e kaluar pasi talebanët ndaluan prodhimin e lëndës narkotike në vitin 2022, sipas një raporti të UNODC.
Theksohet se, megjithëse prodhimi i opiumit në Mianmar u rrit me 36 për qind vitin e kaluar, ai u ul me 75 për qind në nivel global, raporton Reuters. UNODC paralajmëron se ndryshimi mund të çojë në rritje të rasteve me mbidozë nga përdorimi i drogave sintetike, si fentanili dhe nitazeni, të cilat tashmë janë futur në disa tregje evropiane.
Sipas raportit, vdekjet nga mbidoza e nitazenit janë raportuar në Irlandë, Britani të Madhe, Estoni dhe Letoni. Vërehet se përdorimi i kokainës ka shënuar rekord gjatë vitit 2023. Në SHBA ka rënë, por është rritur në Evropë.