Botë

Mosmarrëveshje mes SHBA-së dhe vendeve të tjera të G7-s për deklaratën për Ukrainën

Takimi i G7-ës

Foto: Associated Press

Ministrat e Punëve të Jashtme të shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7), që përfshijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Japoninë, Kanadanë dhe fuqitë evropiane, janë mbledhur në ditën e fundit të bisedimeve në Kanada, me mosmarrëveshje mbi formulimin e një deklarate të përbashkët për Rusinë dhe luftën në Ukrainë, transmeton BBC.

Përfaqësuesja e Kanadasë, ministrja e Punëve të Jashtme, Melanie Joly, ka thënë se G7-a duhet të mbështesë Ukrainën kundër asaj që ajo e quajti agresion i Rusisë.

Por, SHBA-ja ka refuzuar të bëjë akuza të hapura ndaj Moskës, duke thënë se gjuha e përdorur është armiqësore. Gjuha e kujdesshme prej SHBA-së, vjen në kohën kur presidenti Donald Trump po përpiqet të arrijë një armëpushim të menjëhershëm mes të dyja palëve.

Deklaratat e mëparshme të përbashkëta prej G7-s përmbanin faqe të tëra ku dënohej agresioni i Rusisë, mirëpo deklarata e sotme ka gjasa të përmbajë pak në këtë drejtim, duke reflektuar ndarjen e thellë midis Evropës dhe administratës Trump mbi atë se kush e bart përgjegjësinë për luftën.

Vendet evropiane mbështesin thirrjen e Trumpit për një armëpushim, por ende besojnë se Moska duhet të dënohet për pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.