Më 6 shkurt 2023, tërmeti i fuqishëm në Turqi mori jetën e mbi 55 mijë njerëzve. Menjëherë doli në pah se shumë jetë do të shpëtoheshin po qe se do të kishte mbikëqyrje të mirëfilltë të ndërtimeve. Një nënë ia caktoi vetes misionin të gjejë se përse u shemb ndërtesa në të cilën jetonin më të dashurit e saj
Para se të godiste tërmeti, Nurgül Göksu ishte shtëpiake normale. Jetonte në periferi të Stambollit. I pëlqente të gatuante, pjatë tradicionale me qofte, një nga recetat e saj të preferuara. Djali i saj 31-vjeçar, Ahmet Can Zabuni, i martuar dhe baba i një fëmije të vogël, jetonte në qytetin juglindor të Kahramanmarasit. Ahmet Cani nuk ishte fëmija i vetëm i Nurgülit, por si djali më i madh të cilin e kishte lindur kur ishte adoleshente, marrëdhënia e tyre ishte e veçantë.
Ajo e shtyu djalin të kryente universitetin dhe ishte krenare për arritjet e tij. Ahmet Cani dhe gruaja e tij Nesibe ishin avokatë. Vetë Nurgül nuk kreu universitetin dhe iu desh ta mbaronte shkollën me korrespondencë.
Kur tërmeti goditi Kahramanmarasin, të paktën 7,000 ndërtesa u shembën, përfshirë edhe ndërtesën e Ahmet Canit. Nurgüli nxitoi për në qytet për ta kërkuar djalin, gruan e tij dhe fëmijën e tyre - ose, siç i quan ajo, “tre fëmijët e saj”. Zona ku jetonte djali i Nurgulit nuk dukej se ishte prekur aq shumë. Pjesa më e madhe e lagjes nuk pësoi dëmtime. Por ndërtesa ku ata banonin, 10 kate e lartë dhe e njohur si ndërtesa “Ezgi”, ishte nga ndërtesat e pakta që u shembën.
Mospërputhje të ngjashme për shembje të ndërtesave pati edhe në zona të tjera. Shumë njerëz në Turqi filluan të pyesin se pse disa ndërtesa u shembën dhe të tjerat jo. Nurgüli priste lajme nga ekipet e shpëtimit. Tetë ditë më vonë u gjetën trupat e të treve. Mbesa Asudeja ishte vetëm gjashtëmuajshe.
“Të humbësh jo një, por tre fëmijë është vërtet e vështirë”, ka thënë Nurgüli, që shpesh shpërndan fotografi në rrjete sociale, të cilat i hapi pas katastrofës.
Në total, 35 persona humbën jetën nga shembja e ndërtesës “Ezgi”. Vetëm dy mbijetuan.
Pas humbjes së familjes, Nurgüli këmbënguli të kuptonte pse ndërtesa e djalit u shemb, ndërsa të tjerat jo. I duheshin prova dhe njohuri nga ekspertët. Foli me inxhinierë vendas dhe ekspertë të ndërtimit. Mësoi se si të gjente fotot “para” dhe “pas” të ndërtesës në internet dhe nisi të mësonte për rregulloret e ndërtimit dhe çfarë procesesh kërkoheshin për të miratuar çdo ndryshim në ndërtesa.
“U përpoqa të gjeja sa më shumë prova të mundshme për vendin ku humba fëmijën tim”, ka thënë Nurgüli. “Nuk duhej të ishte përgjegjësia ime, por shihet se po të mos e kisha marrë këtë përgjegjësi, nuk do të kishim gjetur asgjë”.
Nurgüli ka zbuluar se në shumë zona të goditura nga tërmeti, hetimet e nisura pas pretendimeve për shkelje gjatë ndërtimeve po mbylleshin për shkak të mungesës së provave. Andaj dha intervista të shumta televizive për ta bërë rastin publik.
Nurgüli ka theksuar se prokurori mund të kishte përdorur të dhënat publike për të mbledhur prova në lidhje me mënyrën se si ishte ndërtuar ndërtesa fillimisht. Megjithatë, ajo donte të sigurohej që të gjitha palët përgjegjëse do të përballeshin me drejtësinë. Kjo ishte arsyeja pse u fokusua në mbledhjen e provave mbi restaurimet dhe ndryshimet që kishin bërë në ndërtesë.
Kur Prokuroria nisi hetimin dhe kërkoi raport nga ekspertët për shembjen e ndërtesës “Ezgi”, provat e Nurgülit u bënë kontributi kryesor në këtë çështje. Raporti, i cili u përfundua në korrik të 2023-s, zbuloi se shumë ndryshime në ndërtesë ishin të paligjshme dhe ishin kryer në kundërshtim me rregulloret ekzistuese.
“Fakti që ndërtesat përreth mbetën të paprekura tregon se kishte problem të madh strukturor me ndërtesën ‘Ezgi’”, ka thënë Beyza Taşkın, profesor i asociuar i inxhinierisë civile në Universitetin Teknik të Stambollit.
Raporti zbuloi se elementi kyç mbështetës ose nuk u ndërtua kurrë siç duhet ose u devijua më vonë. Analizat zyrtare laboratorike treguan se disa materiale dhe procese të ndërtimit nuk plotësonin standardet e miratuara. Dhe pastaj kishte diçka tjetër: kafeneja e ndërtesës. Pyetjet në lidhje me rinovimin e mëhershëm të kafenesë në katin e parë filluan të ngriheshin menjëherë pas shembjes së ndërtesës.
Rinovimi kishte përfshirë bashkimin e tri njësive në katin e parë në hapësirë më të madhe. Gjithashtu u instalua një ashensor shërbimi duke hequr pjesë të dyshemesë dhe u bënë ndryshime për ajrim. Tjetër ndryshim ishte heqja ose zëvendësimi i njërit mur mbajtës, që ishte në projektin origjinal të ndërtesës. Në vitin 2021, banorët e ndërtesës kishin nënshkruar peticion duke kërkuar inspektime, pasi ishin të shqetësuar se rinovimet kishin cenuar qëndrueshmërinë strukturore. Autoritetet thoshin se s’ishte gjetur “asnjë devijim” nga projekti origjinal. Nurgüli tani pyet se pse thirrja për ndihmë u injorua dhe nëse autoritetet më të vërtetë shikuan ndërtesën kur e kanë shkruar përgjigjen.
Pasi u kthye raporti për shkaqet e shembjes, prokuroria hapi çështje penale. Projektuesi i kafenesë dhe inxhinieri përgjegjës u arrestuan në shtator të 2023-tës dhe janë në pritje të gjykimit. Një urdhërarrest për kontraktorin e ndërtesës u lëshua gjithashtu, por nuk u ekzekutua, ndoshta për shkak të moshës së shtyrë. Avokati hodhi poshtë akuzat se klienti i tij ishte përgjegjës për kolapsin e ndërtesës dhe fajësoi ndryshimet e bëra më vonë. Pronarët e kafenesë u zhdukën dhe janë në kërkim nga autoritetet. Shtatorin e kaluar, mohuan se ishin përgjegjës për shkelje të rregulloreve të ndërtimit sa u përket rinovimeve në katin përdhes.
Arrestimet dhe akuzat penale nuk janë unike vetëm për rastin e ndërtesës “Ezgi”. Dhjetëra raste janë hapur në zonat e goditura nga tërmeti, që kanë të bëjnë me defekte në ndërtime dhe ndryshime të paligjshme nëpër ndërtesa.
Në korrik të vitit të kaluar, Ministria turke e Drejtësisë tha se janë arrestuar mbi 350 persona për raste të tilla.
Ndërsa punonte në rastin e saj, Nurgüli ka ndihmuar gjithashtu njerëz të tjerë, duke ndarë njohuritë mbi rregulloret e ndërtimit dhe inxhinierinë civile.
Ajo thotë se është e vendosur të gjejë përgjegjësit për shembjet, për t’u siguruar që askush të mos tundohet të anashkalojë ose t’i shkelë rregullat e ndërtimit në të ardhmen.
“Ndoshta për hir të ndërtesës ‘Ezgi’ nuk do të ndodhin shkelje të tilla në të ardhmen. Unë po luftoj për të dhënë shembull”, ka thënë Nurgüli.
Përktheu Latra Gashi