Në një vizitë zyrtare në Gjermani, ministri i Punëve të Jashtme i Moldavisë ka ripërsëritur angazhimin e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Mihai Popsoi ka zhvilluar bisedime të martën me homologen gjermane, Annalena Baerbock dhe ka thënë se Moldavia dëshiron të legalizojë statusin e saj si një vend vërtet evropian.
Pops ka thënë se Moldavia po bën përpjekje të vazhdueshme në procesin e reformës si në fushën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit e promovimin e të drejtave të njeriut.
Në qershor të 2022-s, Moldavisë iu dha statusi zyrtar i kandidatit për anëtarësim në BE.
Ky status u forcua edhe më tej në dhjetor të vitit 2023 kur Brukseli bëri të ditur se do të hapte negociatat e pranimit në bllokun 27-vendesh, së bashku me Ukrainën.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt 2022, Moldavia është përballur me një sërë problemesh.
Këtu përfshihen kriza e rëndë energjetike pasi Moska reduktoi në mënyrë dramatike furnizimet me gaz, inflacionin e lartë si dhe disa incidente të shkaktuara nga mbetjet e raketave të gjetura në territorin e saj si pasojë e luftës në vendin fqinj.