Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të vendit, derisa votat po vazhdojnë të numërohen.
Në një fjalim nga selia e partisë së tij “Bharatiya Janata Party (BJP)” në New Delhi, Modi i ka falënderuar votuesit, raporton CNN.
“Sot është një ditë e lavdishme... Aleanca Kombëtare Demokratike (NDA) do ta formojë qeverinë për herë të tretë, ne jemi falënderues ndaj njerëzve”, ka thënë ai.
“Kjo është një fitore për demokracinë më të madhe të botës. Kjo është një fitore e besnikërisë së shtetit ndaj Kushtetutës, një fitore për 1,4 miliardë banorët e Indisë”, është shprehur ai.
Mbështetësit kanë hedhur petale të trëndafilave në drejtim të liderit indian, derisa po ngjitej në skenë.
Rezultatet e hershme tregojnë se partia e Modit mund të duhet të mbështetet te partnerët e koalicionit për të formuar një qeveri.
Këta partnerë përfshijnë dhjetëra parti nga NDA, një grup i udhëhequr nga BJP që ka qenë në pushtet që nga zgjedhjet e tij të para në vitin 2014.
Megjithëse rezultatet përfundimtare nuk janë dhënë ende, aleanca e Modit është në rrugën e duhur për të fituar 272 vende, sipas faqes së internetit të Komisionit Zgjedhor, që është numri minimal i nevojshëm për të formuar një qeveri. Rezultatet e plota priten në orët në vijim.