Botë

Modi pritet ta vizitojë Kievin gati një muaj pas takimit me Putinin në Moskë

Narendra Modi dhe Vladimir Putin

Narendra Modi dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Kryeministri indian, Narendra Modi do ta vizitojë Ukrainën, ka bërë të ditur të hënën ministria e Jashtme indiane.

Ky pritet të jetë udhëtimi i tij i parë në vendin e shkatërruar nga lufta e Rusisë, dhe rreth një muaj pasi ai u takua me presidentin, Vladimir Putin në Moskë, raporton Reuters.

Detajet e udhëtimit do të ndahen më vonë gjatë ditës, sipas ministrisë së Jashtme.

Kryeqytetet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, por vendet mike si India dhe Kina kanë vazhduar të bëjnë tregti me të.

India është përmbajtur nga fajësimi i drejtpërdrejtë i Rusisë, për atë që Moska e quan një operacion të posaçëm ushtarak, ndërsa u ka bërë vazhdimisht thirrje fqinjëve që të zgjidhin konfliktin përmes dialogut dhe diplomacisë.

SHBA-ja ka ngritur shqetësime për marrëdhëniet e Indisë me Rusinë, veçanërisht në një kohë kur Washingtoni ka kërkuar të forcojë lidhjet me Nju Delhin si një kundërpeshë e mundshme për një Kinë në rritje.

Nju Delhi po kërkon të thellojë marrëdhëniet e tij me Perëndimin duke i mbajtur të paprekura lidhjet me mikun e vjetër Rusinë.