Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, kërkoi përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, gjatë një vizite në Poloni të enjten.
Ai është zotuar për mbështetjen e Indisë teksa deklaroi se asnjë konflikt nuk mund të zgjidhet në një fushëbetejë.
"Ne mbështesim dialogun dhe përpjekjet diplomatike për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit sa më shpejt që të jetë e mundur", ka deklaruar Modi pas bisedimeve me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk në Varshavë, raporton AP.
Tusku ka thënë se India mund të luajë një rol të rëndësishëm për t'i dhënë fund luftës që po zhvillohet në Ukrainë nga partneri strategjik i saj, Rusia.
“Jam shumë i lumtur që kryeministri ka konfirmuar gatishmërinë e tij për t’u angazhuar personalisht në arritjen e një përfundimi paqësor, të drejtë dhe të shpejtë të luftës”, është shprehur Tusk.
Ai ka shtuar se "historia i ka mësuar kombet tona se sa e rëndësishme është të respektohen rregullat, kufijtë, integriteti territorial, sovraniteti i shteteve dhe sundimi i ligjit".
Duke qenë në krahun lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Polonia është e shqetësuar për luftën dyvjeçare përtej kufirit të saj lindor, dhe i ka ofruar mbështetje politike, humanitare dhe në mbrojtje Ukrainës.
Lideri indian është takuar edhe me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, ndërkaq të premten, Modi udhëton në Kiev për t'u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn.
Kievi zyrtar e ka kritikuar Modin për një vizitë në Moskë muajin e kaluar, gjatë së cilës ai takoi presidentin rus, Vladimir Putin. Modi ka shmangur dënimin e Rusisë duke theksuar një zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë.