Botë

Modelen ekuadoriane e “tradhtoi” Instagrami, ekzekutohet në restorant

Landy Parraga

Landy Parraga

Modelja ekuadoriane, Landy Parraga, u qëllua për vdekje brenda një restoranti në fund të muajit prill të këtij viti. Gjatë hetimeve është zbuluar se një foto e publikuar në Instagram e “tradhtoi” modelen, shkruan Telegraph të mërkurën.

Parraga ndau me 173 mijë ndjekësit në Instagram drekën që po e konsumonte në një restorant. Pak minuta më pas, dy persona të armatosur u futën në restorant dhe ekzekutuan modelen.

Sipas raportimeve, e veja e një bosi droge me të cilën Parraga ka pasur lidhje ka urdhëruar vrasjen. Policia ende po heton.

Pamjet e kamerave kanë kapur momentin e ekzekutimit të saj. Ajo mori tre plumba.

VIDEO:

Parraga, e cila zuri vendin e pestë në edicionin e vitit 2022 të “Miss Ekuadorit”, thuhet se ka qenë e dashura e Leandro Noreros, trafikant droge, i cili u vra në një trazirë në burg 18 muaj më parë. Norero ishte i martuar.

Hetuesit në telefonin e bosit të drogës pas vdekjes së tij gjetën foto të modeles 23-vjeçare dhe të dhuratave luksoze që Norero ia bëri, duke përfshirë apartamente dhe vetura.

Norero kishte paralajmëruar se “bota ime do të shembej nëse gruaja e merr vesh lidhjen me Parragan”, sipas Helive Angulo, i cili ishte njeri i afërt i bosit të drogës e tash bashkëpunëtor i drejtësisë.

I njohur si “El Patron” (Bosi), Norero kishte histori të gjatë të dhunës së bandave dhe trafikut të drogës. Ai qe arrestuar në maj të vitit 2022. Në operacion, policia sekuestroi disa shufra ari dhe 7 milionë dollarë para në dorë, si dhe armë zjarri.

Norero kishte falsifikuar më parë vdekjen nga COVID-19 për t'iu shmangur autoriteteve. Në fund të vitit 2022, autoritetet thanë se Norero ishte vrarë në burg, megjithëse trupi i tij - i djegur në mënyrë makabre nga trazirat - nuk u identifikua kurrë.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, po lufton për ta sjellë rendin në vend. Pasi shpalli 22 banda si organizata terroriste, në Ekuador shpërthyen trazirat, duke rezultuar në arratisjen e bosit më të madh të drogës, “Fito”.

LEXO EDHE: