Botë

Mjeku të cilit i besojnë njerëzit në Liban

Firas Abiad

Firas Abiad

Foto: Associated Press

Ministri i Shëndetësisë Firas Abiad është një përjashtim ndër politikanët libanezë: Kirurgu konsiderohet si një menaxher i aftë krizash. Tani ka shpërthyer lufta – dhe ai përballet me detyra të pamundura.

Firas Abiad dëshiron t’i bëjë të dukshëm njerëzit pas shifrave. Njerëzit që po vriten në konfliktin e armatosur mes organizatës terroriste Hizbollah dhe Izraelit. Dhe ata që janë të detyruar të ikin, të braktisin shtëpitë e tyre, të flenë jashtë, të uritur dhe të ngrirë.

Që nga përshkallëzimi i fundit i krizës tri javë më parë, sipas ministrit libanez të shëndetësisë, Abiad, 2119 njerëz janë vrarë në vendin e tij nga sulmet ajrore izraelite dhe më shumë se 10’000 janë plagosur. Sa prej tyre janë anëtarë të Hizbollahut, autoritetet në Bejrut nuk e bëjnë të ditur.
Sipas autoriteteve libaneze, ushtria izraelite po bombardon edhe klinikat. Deri tani kanë vdekur të paktën 50 pjesëtarë të stafit mjekësor. Më shumë se 1,2 milionë njerëz janë dëbuar nga sulmet ajrore, sipas të dhënave të OKB-së. Strehimoret e emergjencës janë tashmë të mbushura. Fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë për në fillim të nëntorit.

Si ministër i shëndetësisë, Firas Abiad duhet të luftojë në shumë fronte dhe shpesh përballet me detyra të pamundura. Që nga mesi i shtatorit, rreth 40 institucione mjekësore janë detyruar të mbyllen, shumë prej tyre raportojnë dëme të rënda pas sulmeve izraelite. Ka mungesë të energjisë elektrike, ujit dhe materialeve ndihmëse mjekësore. Në Liban po zhvillohet konflikti më i përgjakshëm që nga më shumë se 30 vjet. Sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit.

Firas Abiad është një nga politikanët e paktë të shtetit të dëmtuar nga krizat, të cilët gëzojnë besimin e njerëzve. “Do të duhej të ishe i obsesionuar pas imtësive të parëndësishme për të gjetur diçka që mund ta diskreditonte atë si ministër të shëndetësisë”, shkroi gazeta libaneze “L’Orient-Le Jour” kur Abiad u emërua në këtë post në vitin 2021. Pak njerëz në elitën libaneze, e cila konsiderohet e korruptuar, e përçarë dhe intrigante, marrin kaq shumë lëvdata.

Abiad – emri i tij arab do të thotë “i bardhë” – gëzon reputacionin e një njeriu me karakter të pastër. Si drejtor i Spitalit “Rafik Hariri”, ai arriti mes viteve 2015 dhe 2021 të rindërtonte klinikën më të madhe në Liban, të trajnonte personelin dhe të modernizonte pajisjet. Ky kirurg i njohur u bë i famshëm në të gjithë vendin gjatë pandemisë së koronavirusit, kur pavarësisht situatës katastrofike ekonomike, ai hapi një qendër vaksinimi dhe informoi hapur popullsinë e shqetësuar.

Këtë e dëshmojnë pothuajse 4000 cicërima (tweets) që ai publikoi gjatë përhapjes së pandemisë. Llogaria e tij në Twitter (tani “X”) ishte për një kohë burimi më i rëndësishëm i informacionit për libanezët. Sapo kriza e koronavirusit kishte filluar të zbehej, në tetor 2022 shpërtheu një epidemi e kolerës. Pas disa muajsh, ministri i shëndetësisë Abiad ishte në gjendje të njoftonte me krenari se epidemia ishte kufizuar me sukses.

Përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare e përshkruajnë Abiadin si një njeri të pasionuar pas punës. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) bashkëpunoi ngushtë me të, veçanërisht për të ofruar shërbime mjekësore për refugjatët sirianë. Që nga shpërthimi i luftës në Siri në vitin 2011, Libani ka pranuar 1,5 milionë të shpërngulur. Për shkak të përshkallëzimit të fundit, është krijuar një lëvizje e kundërt, ku rreth 220’000 njerëz kanë ikur nga Libani drejt Sirisë.

Libani, ky vend i vogël buzë Mesdheut, është zhytur në një krizë të thellë ekonomike që nga viti 2019. Abiad vlerëson se që atëherë 30 për qind e mjekëve dhe infermierëve kanë emigruar. Simbol i kësaj krize mbeten rrënojat e një depoje në portin e Bejrutit: më 4 gusht 2020, afërsisht 2800 tonelata nitrat amoniumi shpërthyen atje dhe shkatërruan pjesë të mëdha të portit dhe qendrës së qytetit.
Firas Abiad lindi në vitin 1970 në Londër. Ai është i martuar me një gjinekologe dhe çifti ka tre fëmijë. Abiad studioi mjekësi në Universitetin Amerikan të Bejrutit dhe vazhdoi arsimimin e tij në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.

Për shkak të përvojës dhe njohurive të tij globale, dyert e diplomatëve perëndimorë në Bejrut i qëndrojnë të hapura. Më së shumti i pëlqen të flasë për futboll ose të citojë libra që është duke lexuar, thonë ata që e njohin. Megjithatë, këto kohëra duket se janë përkohësisht prapa tij. Tani ai kalon shumë kohë në aeroportin e kryeqytetit libanez, ku pret ndihma nga Franca, Katari dhe Turqia.

Ose informohet nga mjekët për pasojat e shpërthimeve të pejxherëve në duart e anëtarëve të Hizbollahut. Një nga mjekët e syrit i tha ministrit se kishte kryer më shumë operacione për heqjen e syrit në një ditë sesa në të gjithë karrierën e tij. Në Lindjen e Mesme tani po rikthehet ligji i Dhiatës së Vjetër: sy për sy, dhëmb për dhëmb.