Mjekët në Gaza kanë bërë të ditur të hënën se po punojnë për ta rritur kontrollin e fëmijëve të vegjël për kequshqyerje të rëndë, mes frikës se uria po përhapet ndërsa njerëzit ikin në zona të reja.
Grupi i ndihmës Ndërkombëtare të Korpusit Mjekësor (IMC) dhe partnerët, po planifikojnë të arrijnë më shumë se 200,000 fëmijë nën pesë vjeç si pjesë e një fushate "Gjej dhe trajto", ka thënë për Reuters me një nga mjekët, Munawwar Said.
"Me zhvendosjen, komunitetet po vendosen në vende të reja që nuk kanë qasje në ujë të pastër, ose nuk ka qasje adekuate në ushqim”, ka deklaruar Said.
Gjatë fundjavës, familjet tashmë po hynin në një klinikë IMC në qytetin qendror të Deir al-Balah, e hapur pasi agjencia tha se duhej të mbyllte dy qendra në qytetin jugor të Rafahut për shkak të pasigurisë.
Pesëvjeçarja, Jana Ayad kishte peshuar vetëm 9 kilogramë kur mbërriti, duke vuajtur nga diarre dhe të vjella, ka bërë të ditur për Reuters, zyrtarja e Ushqyerjes, Raghda Ibrahim Qeshta, teksa mbante me kujdes fëmijën.
Jana kishte filluar të shtonte pak peshë pas trajtimit, thanë mjekët, por ajo ishte ende shumë e dobët me brinjët e saj të shfaqura.
Stafi mund të masë nivelet e të ushqyerit duke matur perimetrin e krahëve të fëmijëve. Gjatë vizitës së shkurtër të një kameramani të Reuters, të paktën dy nga matjet ishin në brezin e verdhë, duke treguar një rrezik të kequshqyerjes. Të dhënat e deritanishme tregojnë se më të rrezikuarit janë foshnjat dhe fëmijët deri në dy vjeç.
Një grup agjencish të ndihmave të udhëhequra nga OKB-ja vlerëson se rreth 7% e fëmijëve të Gazës mund të jenë të kequshqyer në mënyrë akute, krahasuar me 0.8% përpara fillimit të konfliktit Izrael-Hamas, më 7 tetor.