Botë

Misteri mbi rrëzimin e aeroplanit në Kazakistan, faji i zogjve apo i Rusisë?

Rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan

Një aeroplan i “Azerbaijan Airlines” u rrëzua në qytetin Aktau, Kazakistan, të mërkurën në mëngjes pasi ekuipazhi humbi kontrollin e aeroplanit që veçse ishte dëmtuar. Pilotët arritën ta ulin aeroplanin dhe të shpëtojnë 29 nga 67 pasagjerët.

Informacioni fillestar tregoi se një tufë zogjsh kishin dëmtuar aeroplanin, sipas shërbimit rus të aviacionit, megjithatë, pas ekzaminimit të rrënojave, dëshmive të pasagjerëve dhe informacioneve të tjera, lindën dyshime për këtë teori.

Sipas Euronews, nga burime zyrtare të lidhura me hetimin, pasagjerët e mbijetuar thanë se dëgjuan një shpërthim teksa po i afroheshin qytetit rus të Groznyt, i cili ishte destinacioni i aeroplanit që ishte nisur nga Baku. Pas shpërthimit u është dukur se aeroplani ishte goditur nga copëza të diçkaje, të cilat e kanë dëmtuar në disa vende.

Dëshmitë e pasagjerëve përputhen me ato të një blogeri ushtarak rus, i cili pretendon se “dëmtimi i aeroplanit mund të jetë shkaktuar aksidentalisht nga një sistem raketor i mbrojtjes ajrore të Rusisë”. 

Grozny mbrohet shumë, pasi Çeçenia dhe luftëtarët e Ramzan Kadyrovit janë çelësi i luftës së vazhdueshme të Kremlinit kundër Ukrainës. Si rezultat, kryeqyteti çeçen është objektiv i mundshëm për dronët ukrainas. Në muajin e kaluar, ka pasur aktivitet ushtarak nga Ukraina në zonë, ndërsa Rusia ka aktivizuar sistemin e mbrojtjes.  

Nëse konfirmohet se rrëzimi i aeroplanit ishte rezultat i funksionimit të sistemit rus të mbrojtjes, ky incident do të ishte i ngjashëm me rrëzimin e fluturimit MH17 në vitin 2014, i cili u krye nga forcat e mbështetura nga Rusia në Donbas.

Fluturimi 8432, i cili po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në Grozny, bëri ulje emergjente rreth tre kilometra nga Aktau pasi goditi një tufë zogjsh, sipas "Azerbaijan Airlines" dhe shërbimit rus të aviacionit. Megjithëse, ky version ende nuk është i sigurt duke parë dëmtimet që ka pësuar aeroplani në videot që shihen në rrjetet sociale.

VIDEO: Janë ngritur dyshime për vrimat në aeroplan

 

Sipas “Azerbaijan Airlines”, 37 pasagjerë ishin shtetas të Azerbajxhanit. Fluturimi transportonte gjithashtu 16 shtetas rusë, gjashtë shtetas kazak dhe tre shtetas kirgiz.

Duke folur në një konferencë shtypi, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka thënë se ishte shumë herët për të spekuluar për shkaqet e rrëzimit, por shtoi se moti i keq e detyroi aeroplanin të ndryshonte itinerarin e planifikuar.

“Informacioni i dhënë më tregon se aeroplani ndryshoi rrugën midis Bakut dhe Groznyt për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit dhe u nis drejt aeroportit Aktau, ku u rrëzua pas uljes”, ka thënë Aliyev.