Botë

Misteri i pazgjidhur i trazirave në Capitol

Më shumë se 1 mijë e 230 persona janë akuzuar për krime federale gjatë trazirave duke filluar nga veprat kundërvajtëse si dhuna deri te krimet si sulmi ndaj zyrtarëve të policisë dhe komploteve të kryengritjes. Rreth 730 persona kanë pranuar se janë fajtorë për akuzat

Anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë. Ish-oficerë policie. Një notar fitues i medaljes së artë olimpike. Dhe marinsa amerikanë. Ata janë në mesin e qindra njerëzve që janë dënuar në ndjekjen penale masive të trazirave të 6 janarit 2021, në tre vjetët qëkur vendi i shtangur ishte dëshmitar i sulmit ndaj Kongresit të SHBA-së.

Gjykata federale e Uashingtonit mbetet shumë e ngarkuar me procese gjyqësore, seanca dëgjimore për pranimin e fajësisë dhe dënime që vijnë në atë që është bërë hetimi më i madh penal në historinë amerikane. Dhe gjuetia për të dyshuar nuk ka përfunduar.

“Ne nuk mund t’i zëvendësojmë votat dhe diskutimin me dhunë dhe frikësim”, u tha gazetarëve të enjten Matthew Graves, prokuror i SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë.

Autoritetet po punojnë ende për të identifikuar më shumë se 80 persona të kërkuar për akte dhune në Capitol. Ata vazhdojnë të bëjnë rregullisht arrestime të reja, edhe pse disa të pandehur të 6 janarit po lirohen nga burgu pas përfundimit të dënimit.

Rastet po zhvillohen në të njëjtën gjykatë ku Donald Trumpi është planifikuar të dalë në gjyq në mars në rastin për komplot për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në prag të sulmit në Capitol.

Rastet gjyqësore

Më shumë se 1 mijë e 230 persona janë akuzuar për krime federale gjatë trazirave, duke filluar nga veprat kundërvajtëse si dhuna deri te krimet si sulmi ndaj zyrtarëve të policisë dhe komploteve të kryengritjes. Rreth 730 persona kanë pranuar se janë fajtorë për akuzat, ndërsa rreth 170 të tjerë janë dënuar për të paktën një akuzë në një gjyq të vendosur nga një gjykatës ose një juri, sipas të dhënave të Associated Press.

Vetëm dy të pandehur janë liruar nga të gjitha akuzat dhe ato ishin gjykime të vendosura nga një gjyqtar dhe jo nga një juri.

Rreth 750 persona janë dënuar me gati dy të tretat që kanë kaluar pak kohë pas grilave. Dënimet me burg kanë variuar nga disa ditë burgim me ndërprerje deri në 22 vjet burg. Dënimi më i gjatë deri më tani iu dha Enrique Tarrios, ish-kryetar kombëtar i “Djemve krenarë”, i cili u dënua për komplot kryengritjesh për atë që prokurorët e përshkruan si një komplot për të ndaluar transferimin e pushtetit nga Trumpi te presidenti Joe Biden.

Shumë rebelë janë tashmë jashtë burgut pas përfundimit të dënimit, duke përfshirë disa të pandehur që u përfshinë në dhunë. Scott Fairlamb - një burrë nga Nju Xhersi, i cili goditi me grusht një polic gjatë trazirave dhe ishte i pandehuri i parë i 6 janarit që u dënua për sulm ndaj zbatimit të ligjit - u lirua nga paraburgimi i Byrosë së Burgjeve në qershor.

Sytë tek Gjykata Supreme

Avokatët mbrojtës dhe prokurorët po ndjekin nga afër një çështje që do të shqyrtohet së shpejti nga Gjykata Supreme e SHBA-së që mund të ndikojë në qindra të pandehur të 6 janarit. Gjyqtarët ranë dakord muajin e kaluar të dëgjojnë sfidën e një protestuesi ndaj përdorimit të akuzës për pengim të një procedimi zyrtar nga prokurorët, që i referohet ndërprerjes së certifikimit të Kongresit të fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale 2020 ndaj Trumpit.

Më shumë se 300 të pandehur të 6 janarit janë akuzuar për veprën e pengimit dhe po kështu edhe Trumpi në çështjen federale të ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith. Avokatët që përfaqësojnë kryengritësit kanë argumentuar se akuza është ngritur në mënyrë të papërshtatshme kundër të pandehurve të 6 janarit.

Gjyqtarët nuk do të dëgjojnë argumentet në mars ose prill, me vendimin që pritet në fillim të verës. Por shqyrtimi i tyre i akuzës për pengim po ndikon tashmë në prokuroritë e 6 janarit. Të paktën dy të pandehur kanë bindur gjyqtarët që të shtyjnë dënimet e tyre derisa Supremja të vendosë për këtë çështje.

Arratisja e kryengritësve

Dhjetëra njerëz që besohet se kanë sulmuar zbatuesit e ligjit gjatë trazirave nuk janë identifikuar ende nga autoritetet, sipas Graves. Dhe afati i parashkrimit për krimet është pesë vjet, që do të thotë se ata do të duhet të akuzohen deri më 6 janar 2026, ka theksuar ai.

Disa të pandehur janë arratisur gjithashtu pasi u akuzuan, duke përfshirë një anëtar të “Proud Boys” nga Florida, i cili u zhduk ndërsa ishte në arrest shtëpiak, pasi u dënua për përdorimin e sprejit djegës ndaj policisë. Christopher Worrell u dënua të enjten me 10 vjet burgim pasi kaloi javë të tëra në arratisje.

FBI-ja është ende në kërkim të disa të pandehurve që kanë qenë në arrati prej muajsh, duke përfshirë një çift vëlla-motër nga Florida. Olivia Pollock u zhduk pak para se gjyqi i saj supozohej të fillonte në mars. Vëllai i saj, Jonathan Pollock, është gjithashtu i zhdukur. FBI-ja ka ofruar një shpërblim deri në 30 mijë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e Jonathan Pollock, i cili është akuzuar për vendosjen e barrikadës në fytyrën e policit dhe për shkelmimin. I pandehuri tjetër Evan Neumann u arratis nga SHBA-ja dy muaj pas aktakuzës së tij në dhjetor 2021 dhe besohet se jeton në Bjellorusi.

Vendosja e bombave

Një nga misteret më të mëdha të mbetura rreth trazirave është identiteti i personit që vendosi dy bomba jashtë zyrave të komiteteve kombëtare republikane dhe demokratike një ditë përpara sulmit në Capitol. Vitin e kaluar autoritetet e rritën shpërblimin deri në 500 mijë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e personit. Mbetet e paqartë nëse ka pasur lidhje mes bombave dhe trazirave.

Hetuesit kanë shpenzuar mijëra orë gjatë tre vjetëve të fundit duke bërë intervista dhe duke analizuar provat dhe këshillat nga publiku, ka treguar David Sundberg, ndihmësdrejtor i ngarkuar me Zyrën e FBI-së në Uashington.

Mjetet shpërthyese u vendosën jashtë dy ndërtesave rreth orës 19:30 dhe 20:30 më 5 janar 2021, por policët nuk i gjetën deri të nesërmen. Autoritetet u thirrën në zyrën e Komitetit Kombëtar Republikan rreth orës 12:45 më 6 janar. Menjëherë pas kësaj, erdhi një telefonatë për një pajisje të ngjashme shpërthyese të gjetur në selinë e Komitetit Kombëtar Demokratik. Bombat ishin të sigurta dhe askush nuk u lëndua.

Përktheu: Blerta Haxhiu