Pretendimi i një kompanie të minierave se ka zbuluar një depozitë të madhe të arit, thellë brenda xhunglës së Indonezisë, ka çuar në një përleshje për të investuar në firmë. Por tërë ai shkëlqim nuk ishte ar dhe pyetjet për vdekjen misterioze të shefit gjeolog të kompanisë akoma mbeten pa përgjigje.
Në mëngjesin e 19 marsit të vitit 1997, Michael de Guzman, shef gjeolog në kompaninë kanadeze të minierave, “Bre-X Minerals”, kishte hipur në një helikopter për të udhëtuar në një zonë të largët të xhunglës në Indonezi.
Ka qenë udhëtim që ai e kishte bërë disa herë, në një vend ku ai ka raportuar se kishte gjetur një depozitë të madhe të arit.
Por kësaj radhe De Guzmani nuk kishte arritur kurrë në destinacion.
Njëzet minuta në udhëtim, dera e pasme në anën e majtë të helikopterit ishte hapur dhe De Guzmani ishte zhdukur, duke rënë në gjethet e dendura poshtë helikopterit.
Shefi ekzekutiv i kompanisë së minierave kishte thënë se De Guzmani ishte vetëvrarë, meqë ishte diagnostikuar me hepatit B dhe ishte lodhur nga lufta e gjatë me malarien.
Dhjetë vjet më vonë gazetarja kanadeze Suzanne Wilton është dërguar nga gazeta “Calgary Herald” për ta hetuar vdekjen e De Guzmanit.
“Më kanë dërguar në anën tjetër të botës... Kjo histori më ka shqetësuar që nga atëherë”, thotë ajo.
Tash ajo është rikthyer në çështje për një seri të re podcast – duke e hetuar thellësisht atë që ka ndodhur para udhëtimit fatal me helikopter.
Kush ishte De Guzmani?
De Guzmani kishte lindur në Filipine në Ditën e Shën Valentinit, në vitin 1956. Ditëlindje e përsosur, meqë ai shpesh ka rënë në dashuri. Ai i ka pasur tri, ndoshta katër, gra në të njëjtën kohë në vende të ndryshme.
Burrë që i pëlqente karioke, birra, të vizitonte klubet e striptizit dhe të vishte ar, De Guzmani ishte gjeolog me përvojë, i cili kishte besuar se mund të krijonte pasuri në Indonezi.
Në vitet ’90 vendi me burime të pasura natyrore të mineralit është parë si tokë e mundësive për kërkuesit e arit, thotë Wilton.
Një holandez – John Felderhof, i njohur nga shumë si Indiana Jonesi i gjeologëve – ka besuar se një zonë në Busang, në provincën e Kalimantanit lindor në ishullin Borneo, ka qenë minierë e arit që është duke pritur të zbulohet. Por, ai ka pasur nevojë për para për të vazhduar.
Në prill të vitit 1993, Felderhofi kishte nënshkruar një marrëveshje me David Walshin, shef ekzekutiv i “Bre-X Minerals”. Walshi do t’u shiste ëndrrën investitorëve të mundshëm për zonën me thesar të groposur.

Felderhofi i ka kontrolluar operacionet në tokë dhe e ka bërë të qartë se kërkonte partner të projektit për ta ndihmuar me kërkimin – gjeologun dhe shokun De Guzman.
Por Felderhofi, De Guzman dhe ekipi i tij kanë pasur kohë deri më 18 dhjetor 1993 për të shpuar vrima dhe për të parë nëse me të vërtetë kishte ar aty. Kjo ishte koha kur do u skadonte licenca e kërkimit e dhënë nga qeveria e Indonezisë.
Me vetëm disa ditë para afatit të skadimit dhe dy vrima të gërmuara, akoma nuk kishe pasur shenja të arit. Pastaj, thotë Wilton, De Guzmani papritmas i ka thënë Walshit se ai e dinte vendin e saktë ku të shponin – vendndodhje që i ishte shfaqur në ëndërr.
Ekipi e ka shpuar një vrimë të tretë saktësisht ku De Guzmani kishte thënë – dhe kishin gjetur ar. Vrima e tretë e shpuar kishte rezultuar në një gjetje akoma më të madhe.
Për tre vjetët e ardhshëm puna në atë vend kishte vazhduar. Me rritjen e përllogaritjeve për sasinë e arit që ka qenë atje, ishte rritur edhe numri i investitorëve. Çmimi i aksioneve të “Bre-X Minerals” kishte filluar të rritej, nga 20 centë në 280 dollarë kanadezë. Kompania përfundimisht ishte vlerësuar me 6 miliardë dollarë kanadezë.
Shumë njerëz nga qytetet e vogla kanadeze kishin filluar t’i bashkëngjiteshin kërkimit të arit, duke investuar mijëra dollarë nga kursimet e tyre.
Por derisa kalonte koha, shkëlqimi kishte filluar të zbehej.
Zbulimi i mashtrimit
Në fillim të vitit 1997, ish-presidenti i Indonezisë, Suharto, kishte vendosur se një kompani e vogël si “Bre-X Minerals” nuk mund ta zotëronte e vetme zonën dhe të korrte fitime. Kjo duhet të ndahej me qeverinë indoneziane dhe të mbahej nga një firmë më e madhe dhe më me eksperiencë e minierave. Kështu që, ishte arritur një marrëveshje me kompaninë amerikane, “Freeport-McMoRan”.
Para se të pranonte t’i merrte përsipër rreziqet financiare të lidhura me minimin e metaleve të çmuara, “Freeport-McMoRanit” i është dashur të kryente kontrollet e veta. Gjeologët e saj janë dërguar për të shpuar vrima në depozitën e Busangut dhe për të nxjerrë mostra të gurëve afër vendit ku ishin gjetur fillimisht.
Kjo ka qenë praktikë standarde e minimit, por nuk është bërë nga “Bre-X Minerals”.
Mostrat ishin dërguar në laboratorë të ndryshëm, por rezultatet kishin qenë të njëjta – nuk ishte gjetur asnjë shenjë e arit.
Çfarë do të thoshte kjo për njerëzit që i kishin investuar kursimet e tyre?
Walshi dhe Felferhofi ishin informuar për të dhënat e reja të gjetura nga “Freeport-McMoRani”. Ata e kishin udhëzuar De Guzmanin, i cili ishte në një konventë në Otranto, të kthehej në Busang për t’u takuar me ekipin e “Freeport-McMoRanit” dhe t’i shpjegonte gjithçka.
De Guzmani kishte udhëtuar nga Kanadaja përmes Singaporit, ku kishte kaluar ca kohë me gruan e tij Genie, me të cilën kishte një djalë dhe një vajzë.
Orët e tij të fundit janë bërë së bashku nga një gazetare tjetër kanadeze, Jennifer Wells.
Ajo thotë se De Guzmani e ka kaluar natën e tij të fundit në qytetin Balikpapan, rreth 161 kilometra në jug të minierës së Busangut, me punonjësin e “Bre-X Minerals”, Rudy Vega.
Vega ka qenë pjesë e ekipit të kompanisë filipinase të kërkimit dhe e ka pasur për detyrë të udhëtonte me De Guzmanin për t’u përballur me “Freeport-McMoRanin”.
Sipas një deklarate të dhënë nga Vega për policinë e Indonezisë, ata të dy kishin shkuar në një bar me karaoke. Pasi janë kthyer në dhomën e hotelit, De Guzmani është përpjekur të vetëvritej, kishte thënë Vega.
Mëngjesin tjetër De Guzmani dhe Vega kishin udhëtuar me helikopter për në Samarinda, qytet i afërm me Busangun.
De Guzmani pastaj kishte hipur në një helikopter tjetër për të udhëtuar deri në minierë – por Vega nuk i ishte bashkëngjitur.
Dy burra kanë qenë me De Guzmanin në fluturim – një teknik mirëmbajtjeje dhe piloti. Por ai kishte qenë pilot i forcave ajrore të Indonezisë – jo pilot i zakonshëm që udhëtonte për në minierën Busang. Ndalesa në Samarinda kishte qenë gjithashtu e pazakontë – zakonisht De Guzmani kishte fluturuar drejtpërdrejt nga Balikpapani për në Busang.
Pasi kishte dhënë deklaratën në fillim, piloti nuk kishte folur më për udhëtimin. Por, thotë Wiltoni, ai e ka mohuar përfshirjen në atë që i ka ndodhur De Guzmanit dhe ka theksuar se nuk ka parë se çfarë ka ndodhur.
Më 19 mars 1997, në orën 10:30, De Guzmani kishte vdekur.
Letra të vetëvrasjes të shkruara me dorë janë gjetur në helikopter dhe katër ditë më vonë trupi i tij është gjetur në xhunglën e dendur.
Gjashtë javë pas vdekjes së De Guzmanit, ëndrra për arin e Busangut është shuar për të gjithë, duke i lënë investitorët të dëshpëruar.
Vlera prej 6 miliardësh kanadeze të “Bre-X Minerals” është reduktuar në asgjë.
Një raport i pavarur ka konfirmuar se nuk ka pasur ar në zonën e Busangut. Mostrat e gurëve të datuara mes viteve 1995 dhe 1997 janë analizuar dhe është gjetur se janë manipuluar përmes një procesi të quajtur kriposje. Fragmente të arit nga një tjetër burim janë spërkatur mbi mostrat e shkëmbinjve nëpërmjet kriposjes për t’i falsifikuar rezultatet.
Rreth 30 vjet më vonë, akoma askush nuk është mbajtur përgjegjës për mashtrimin.
Walshi ka thënë se nuk ka ditur asgjë për këtë dhe ka vdekur nga një goditje në tru në vitin 1998. Në vitin 2007, një gjyqtar kanadez kishte vendosur se Felderhofi nuk ka qenë i vetëdijshëm për mashtrimin dhe e ka cilësuar të pafajshëm. Gjeologu holandez ka vdekur në vitin 2019.
Kjo na kthen te De Guzmani.
Vetëvrasje e rreme?
A ka kryer ai vetëvrasje për t’iu shmangur zbulimit se ai ka qenë truri pas mashtrimit?
Letrat e tij të vetëvrasjes nxisin shqetësime, thotë Wilton.
Për podcastin, një kushërirë e Fedlerhofit - Suzanne Felderhof – thotë se ai ka shprehur dyshime nëse De Guzman i ka shkruar ato letra.
Letrat përmendin sëmundje fizike për të cilat, thotë ajo, i afërmi i saj nuk e ka dëgjuar ndonjëherë të ankohet.
Wilton thotë se një letër tjetër e vetëvrasjes i është shkruar menaxherit të financave të “Bre-X Minerals”, të cilin De Guzmani në fakt nuk e ka njohur. Në të, njëri nga emrat e grave të tij është shkruar gabimisht.
Benito Molino ka qenë anëtar i ekipit filipinas të hetimit të punësuar nga familja e De Guzmanit për t’i ekzaminuar provat, pasi të dilnin raportet e autopsisë.
Në fotografitë e trupit të gjetur në xhungël, Molino thotë se ai ka parë mavijosje në qafë dhe ka dalë në përfundimin se De Guzmani ka vdekur nga ngufatja.
“Kur ai ka vdekur, atë duhet ta kenë gjuajtur nga helikopteri në xhungël që të duket sikur ka kryer vetëvrasje”, thotë Molino. “Në krimet madhore do të ketë gjithmonë një person që fajësohet në mënyrë të rreme, kështu që ne nuk besojmë se truri i vërtetë pas gjithë kësaj do të identifikohet”.
A ka qenë trupi me të vërtetë i De Guzmanit?
Duke u bazuar në përshkrimet e para, shihet se individi ka qenë i vdekur për më shumë se katër ditë – koha që është nevojitur për ta gjetur trupin – thotë antropologu mjekoligjor, Richard Taduran, i cili ka punuar me Molinon.
Gruaja e De Guzmanit, Genie gjithashtu thotë se dhëmbët ishin të paprekur në trupin e gjetur, porse burri i saj i kishte dhëmbët fals. Të dhënat dentare të De Guzmanit nuk janë ndarë nga familja e tij, thotë Wilton.
Gjeologu Mansur Geiger – mik i Genie de Guzmanit – thotë se ajo i ka thënë se burri i saj ishte akoma gjallë dhe se ishte arratisur në Amerikën Jugore. Geigeri beson se ai tani është duke jetuar në Ishujt Cayman.
A është e mundur që De Guzmani të ketë planifikuar që një trup të hipte në fluturimin final në mënyrë që ai ta falsifikonte vdekjen e tij? Madje a ka hipur ai ndonjëherë në këtë helikopter?
Djali i tij me Genien beson se babai i tij mund të jetë akoma gjallë – meqë i ka thënë kështu nëna e tij.
Ai është gjeolog, si i ati, dhe është i vendosur ta vazhdojë trashëgiminë e babait të tij – por kësaj radhe në mënyrën e duhur.
“Ndoshta mund t’i nis minierat e mia”, thotë Michael de Guzman Jr. “Të gjej disa investitorë dhe... të jem më i mirë se Mike de Guzman”.