Shtëpia e Bardhë është duke paralajmëruar se nëse pakoja e re e ndihmave nuk sigurohet deri në fund të vitit do të ketë pasoja të menjëhershme për kapacitetin e Ukrainës për të mbajtur territorin e vet, lëre më të marrë tokat e pushtuara nga Rusia.
Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelenskyy, e ka porositur Amerikën se vendi i tij ishte duke luftuar për “lirinë tonë dhe tuajën” teksa bënte thirrje të martën që Kongresi të miratonte pakon e re të ndihmave shumë të mirëpritura për të zmbrapsur Rusinë.
Mirëpo mundësitë për ndihma shtesë nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dukeshin të pamundura, pavarësisht diplomacisë së tij të stuhishme në Washington.
Pas orëve të tëra të bisedimeve në Capitol Hill, Zelenskyy kaloi më shumë orë në takimin në Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit Joe Biden dhe ndihmësit të tij për rrugën përpara. Shtetet e Bashkuara ia kanë siguruar Ukrainës 111 miliardë dollarë armatim qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin e tij më shumë se 21 muaj më parë, por republikanët janë duke insistuar që pakon e ndihmave financiare do ta miratojnë nëse Bideni përforcon sigurinë kufitare me Meksikën. Këtë kusht e kundërshtojnë demokratët.
Shtëpia e Bardhë është duke paralajmëruar se nëse pakoja e re e ndihmave nuk sigurohet deri në fund të vitit, do të ketë pasoja të menjëhershme për kapacitetin e Ukrainës për të mbajtur territorin e vet, lëre më të marrë tokat e pushtuara nga Rusia.
Teksa Zelenskyy e përfundoi vizitën e tij dyditore në Washington, ishte e paqartë nëse ka qenë në gjendje të ndryshojë ngërçin politik mbi ndihmat- edhe pse negociatat rifilluan shpejt në Capitol dhe negociatorët kryesorë të Senatit dolën me deklarata se kishte përparim. Ai u përpoq ta bënte çështjen sikurse mbështetja e luftës së vendit të tij për integritet territorial nuk është problem vetëm i Ukrainës.
“Për më shumë se dy vjet ne kemi qenë në shkallë të plotë të luftës- më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore, duke luftuar për liri”, ka thënë Zelenskyy. “Çfarëdo që Putini provon, ai nuk do të ketë asnjë fitore. Falë suksesit të Ukrainës- sukses në mbrojtje- kombet e tjera evropiane janë të sigurta nga sulmi rus”.
Takimi me Bidenin
Biden ngjashëm paralajmëroi që dështimi nga Shtetet e Bashkuara për t’i siguruar Ukrainës ndihma të mëtejshme mund t’u japë guxim presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të tjerëve në botë.
“Putini është duke iu kushtuar vëmendje Shteteve të Bashkuara, që po dështon në Ukrainë”, ka thënë Biden. “Ne duhet t'i dëshmojmë të kundërtën”.
Para takimit me Zelenskyyn në Zyrën Ovale, Biden ftoi Kongresin “të bëjë gjënë e duhur, të qëndrojë me Ukrainën dhe t’i dalë në krah lirisë”.
Ai shtoi, “Kongresi duhet të miratojë financimin shtesë për Ukrainën para pushimit të festave, para se ata t’i japin Putinit dhuratën më të madhe të mundshme për Krishtlindje”.
Zelenskyy tregoi rastin e tij në takimet private me udhëheqësit e Kongresit- se forcat ukrainase kanë luftuar ashpër për të zmbrapsur pushtimin rus me ndihmën e aleatëve amerikanë dhe perëndimorë dhe nuk është koha që miqtë e Ukrainës të tërhiqen.
“Lufta në të cilën jemi ne është luftë për liri,” ka thënë Zelenskyy. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në takimet në Capitol Hill.
Ndërkohë, më shumë se 130 ligjvënës përreth Evropës nënshkruan një letër duke nxitur ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Takimet në Capitol
Në Capitol, i rrethuar nga udhëheqësi i shumicës demokratike, Chuck Schumer dhe udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch McConnell, Zelenskyy hyri në takim privat me senatorët me shfaqjen publike dypartiake të mbështetjes dhe me disa duartrokitje. Por më shumë se një orë më vonë mendja e disa senatorëve dukej të ketë ndryshuar.
Zelenskyy vizitoi gjithashtu udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë takimin privat me kryetarin e ri të Dhomës, Mike Johnson. Kolegët e tij republikanë i kanë rezistuar secilës marrëveshjeje. Johnson këmbënguli më pas, “Ne duam ta bëjmë gjënë e duhur këtu”.
Zelenskyy u përpoq t'u bënte përshtypje senatorëve se Ukraina mund të fitonte luftën kundër Rusisë, duke u thënë atyre se burra tridhjetë dhe dyzetëvjeçar po bëheshin gati për betejë. Me emblemën në kostumin e tij ai qëndroi para portretit të George Washington. Prapa tij qëndronte historia.
Për demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, ai tregoi për përpjekjet e shtetit të tij për Perëndimin, duke treguar sezonin e Krishtlindjeve, duke u thënë atyre se ishte viti i parë që Ukraina do të festonte më 25 dhjetor dhe jo ditën kur rusët shënojnë festën.
McConnell ka thënë se Zelenskyy ishte “frymëzues dhe i përkushtuar” në mbledhjen e Senatit. Por senatorët republikanë dukeshin të palëkundur nga pozicioni i tyre. Senatori Markeayne Mullin nga Oklahama ka thënë se financimi emergjent nuk do ta fitojë mbështetjen e republikanëve pa përfshirë “reformë reale dhe kuptimplotë kufitare”.
Biden kundërshtoi se “historia do të gjykojë ashpër ata që ia kthejnë shpinën në kauza për liri”. Presidenti citoi një prezantues televiziv të Kremlinit që festonte bllokadën e republikanëve ndaj ndihmave për Ukrainën. Prezantuesi e kishte cilësuar si punë të mirë bllokadën e republikanëve.
“Nëse po lavdërohesh nga propagandistët e Rusisë, është koha që ta rimendosh çfarë je duke bërë”, ka thënë Bideni.
Problemet e presidentit
Presidenti amerikan ka kërkuar pakon e ndihmave në vlerë prej 100 miliardë dollarëve për Ukrainën, Izraelin, dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare. Ai ka shprehur gatishmërinë për t'u marrë vesh me republikanët pasi kalimet e emigrantëve kanë arritur nivele rekord përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, por demokratët në partinë e tij kundërshtojnë propozimet për dëbime të përshpejtuara dhe standarde strikte të azilit si kthim në kohën e armiqësisë së Trumpit ndaj emigrantëve.
Sekretari Alejandro Mayorkas u takua për gati dy orë në Capitol që të ndihmojë me bisedimet. Negociatorët kryesorë të Senatit, republikani James Lankford nga Oklahoma dhe demokratja nga Arizona, të dy u larguan duke thënë se kanë bërë përparim.
Përpara takimeve të Zelenskyyt, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje inteligjencën e sapodeklasifikuar që tregon se Ukraina i ka shkaktuar humbje të rënda Rusisë në luftimet e fundit përgjatë vijës Avdiivka-Novopavlivka – duke përfshirë 13 mijë ushtarë të vrarë dhe mbi 220 humbje automjetesh luftarake. Rezistenca e Ukrainës në lindjen pjesërisht të pushtuar të vendit ka qenë qendra e disa prej luftimeve më të ashpra në javët e fundit.
Zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kanë përcaktuar se rusët mendojnë se nëse arrijnë bllokimin ushtarak gjatë dimrit do të shterojnë mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe përfundimisht do t’i jap Rusisë avantazh, pavarësisht faktit se rusët kanë pësuar humbje të mëdha dhe janë ngadalësuar nga mungesat e vazhdueshme të ushtarëve të trajnuar, municioneve dhe pajisjeve.
Është vizita e tretë e Zelenskyyt në Washington që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, duke përfshirë udhëtimin e shpejtë vetëm disa muaj më parë, teksa po vazhdonte ndihma amerikane. Vizita e tij befasuese disa ditë para Kërshëndellave në dhjetorin e kaluar, udhëtimi i tij i guximshëm jashtë Ukrainës gjatë luftës nxitën mijëra duartrokitje në Kongres.
Në atë kohë, ligjvënësit veshën ngjyrat verdhekaltër të Ukrainës dhe Zelenskyy mbajti një fjalim që paraqiti paralelet e Luftës së Dytë Botërore, teksa falënderoi amerikanët për mbështetjen e tyre.
Por viti 2023 solli një qendër të re pushteti të republikanëve të djathtë, të lidhur me Donald Trumpin, ish-presidenti që tani është kryesuesi i republikanëve në garën e vitit 2024 për Shtëpinë e Bardhë.
Ngërçi në Kongres
Republikani Michael McCaul nga Teksasi, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se Zelenskyy mund të jetë në gjendje të përballet me ngërçin duke treguar aksionet e zgjerimit të mundshëm rus drejt NATO-s dhe duke e ngritur çështjen e tij mbi “qartësinë morale dhe pse është e Ukraina e rëndësishme”.
Zelenskyy filloi vizitën e shpejtë në Washington të hënën, duke paralajmëruar në fjalim në një universitet se Rusia mund të jetë duke luftuar në Ukrainë, por “synimi i vërtetë është liria” në Amerikë dhe tërë botën. Gjatë takimit të tij me Bidenin, ai gjithashtu donte të siguronte Kongresin dhe publikun amerikan se Ukraina ia vlen për çmimin që u kushtoi Shteteve të Bashkuara.
“Ukraina mund të fitojë,” ka thënë Zelenskyy. “Njerëzit duhen te kenë besim se liria është e sigurt”.
Nga pakoja e re e sigurisë kombëtare në vlerë prej 100 miliardë dollarësh, 61.4 miliardë dollarë do të shkojnë për Ukrainën për t’u furnizuar me armatimin e nevojshëm, dhe gjysmën tjetër për mbështetje të tjera ushtarake të inteligjencës dhe mbrojtjes, ndihmë humanitare dhe për të ndihmuar funksionin e qeverisë ukrainase me reagues emergjence, punë publike dhe operacione të tjera.
Pakoja përfshin afro 14 miliardë dollarë për Izraelin teksa po lufton Hamasin dhe 14 miliardë dollarë për sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara. Fonde shtesë do të shkojnë për nevojat e sigurisë kombëtare në rajonin Azi-Paqësor.
Biden gjithashtu shpalli të martën se ka miratuar pakon shtesë të ndihmave ushtarake në vlerë prej 200 milionë dollarëve për Ukrainën. Duke përfshirë pakon e fundit, Shtetet e Bashkuara tani kanë rreth 4.4 miliardë dollarë armatim që mund të sigurohet nga rezervat e departamenteve.
Përktheu: Bleona Ameti