Botë

Ministrja në Britani dorëhiqet për shkak të lidhjes me ish-kryeministren e Bangladeshit

Tulip Siddiq

Ministrja britanike, përgjegjëse për shërbimet financiare dhe luftimin e korrupsionit, është tërhequr të martën pas disa javësh raportimesh për lidhjet financiare me tezen e saj Sheikh Hasina, e rrëzuar vitin e kaluar si kryeministre e Bangladeshit, raporton Reuters.

Tulip Siddiq, 42- vjeçare disa herë ka mohuar akuzat dhe kryeministri Keir Starmer tha javën e kaluar se ka besim të plotë në të.

Tërheqja e dytë në ministri në dy muaj është goditje e madhe për Starmerin. Shkalla e pëlqyeshmërisë për të ka rënë qëkur partia e tij laburistë fitoi zgjedhjet në korrik.

Siddiq ka dorëzuar detyrën për shërbime financiare, rol që përfshinte përgjegjësi për masa ndaj pastrimit të parave.

Starmer ka emëruar pasuesen Emma Reynolds, ish-ministre e pensioneve.

Hasina e cila ka udhëhequr Bangladeshin që nga viti 2009 është duke u hetuar për korrupsion dhe pastrim parash. Hasina dhe partia e saj kanë mohuar akuzat.

Siddiq ishte përmendur në dhjetorin e kaluar si pjesë e hetimit në Bangladesh nëse familja e saj ishte përfshirë në vjedhjet në projektet infrastrukturore në Bangladesh.

Komisioni kundër korrupsion dyshon për korrupsion në vlerë miliarda dollarësh në një projekt prej 12.6 miliardë dollarësh për reaktorë bërthamorë, duke thënë se Hasina dhe Siddiq mund të kenë përfituar.

Dokumentet tregojnë se Siddiq ka jetuar në Londrën veriore në pronën e dhënë për familjen e saj në vitin 2009 nga Moin Ghani, avokat nga Bangladeshi që përfaqësonte qeverinë e Hasinas.

Po ashtu ajo kishte pranuar një pronë tjetër në Londër në vitin 2004, pa e blerë, nga një zhvillues i lidhur partinë politike të Hasinas, ka raportuar këtë muaj Finacial Times.

Hasina qe arratisur nga Bangladeshi pasi ishte rrëzuar nga protestat që zgjatën disa javë.