Botë

Ministria ruse thotë se është “e vështirë të besohet” se Shteti Islamik nisi sulmin në Moskë

Sulmi ne teatrin ne Moske ku u vrane afro 140 persona

Foto: Associated Press

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se është “jashtëzakonisht e vështirë të besohet” se Shteti Islamik do ta ketë pasur kapacitetin për të nisur sulmin në një sallë koncertesh në Moskë të premten e kaluar. Nga sulmi kanë mbetur të vrarë të paktën 140 persona.

Zyrtarët rusë vazhdimisht kanë hedhur dyshime mbi pohimet e inteligjencës perëndimore se IS-i është përgjegjës për sulmin, pavarësisht se grupi vetë e ka pranuar përgjegjësinë, raportoi Guardian.

Rusët kanë sugjeruar se Ukraina dhe shtetet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë, kanë luajtur rol në të, por pa dhënë ndonjë dëshmi.

Ukraina ka mohuar akuzat e Rusisë për përfshirje në sulm. SHBA-ja dhe Franca kanë thënë se kanë informacione që thonë se IS-i është prapa sulmit.