Botë

Ministri gjerman i Mbrojtjes: Fjalimi i Vanceit, i papranueshëm

Pistorius

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka deklaruar se fjalimi i mbajtur nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih është i papranueshëm, ka raportuar The Guardian.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, në fjalimin e tij i ka krahasuar liderët aktualë evropianë me autokratët që sunduan me regjimet represive në kontinentin evropian gjatë Luftës së Ftohtë.

“Nuk mund t'i detyrosh njerëzit se çfarë të mendojnë, çfarë të ndjejnë apo çfarë të besojnë... Fatkeqësisht, kur shikoj Evropën sot, ndonjëherë nuk është aq e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë”, ka thënë Vance.

Në ndërkohë, Pistorius iu kundërpërgjigj duke thënë se “demokracia është vendosur në pikëpyetje nga zëvendëspresidenti i Amerikës për të gjithë Evropën”.

“Ai flet për shkatërrimin e demokracisë. Dhe nëse e kam kuptuar saktë, ai është duke krahasuar gjendjen e disa pjesëve të Evropës me ato të rajoneve autoritare...kjo nuk është e pranueshme”, ka shtuar ai.