Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë kërcënuar me largim dhe me shembje të koalicionit qeverisës nëse kryeministri, Benjamin Netanyahu pajtohet me një propozim të armëpushimit në Gazë, të prezantuar nga presidenti amerikan, Joe Biden të premten.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kanë thënë se janë kundër arritjes së ndonjë marrëveshjeje përpara se Hamasi të shkatërrohej, raporton BBC.
Por udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid është zotuar të mbështesë qeverinë nëse Netanyahu e mbështet planin.
Vetë kryeministri ka deklaruar se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm pa u shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe pa u liruar të gjitha pengjet.
Propozimi tre-pjesësh i Bidenit do të fillonte me një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës. Marrëveshja përfundimisht do të çonte në lirimin e të gjitha pengjeve, një "ndërprerje të përhershme të armiqësive" dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.
Por në një postim në mediat sociale të shtunën, Smotrich ka shkruar se i kishte thënë Netanyahut se "nuk do të ishte pjesë e një qeverie që pajtohet me skicën e propozuar dhe i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin dhe pa i kthyer të gjitha pengjet".
Ndërkaq Ben-Gvir ka thënë se "marrëveshja do të thotë fundi i luftës dhe braktisja e qëllimit për të shkatërruar Hamasin”.
“Kjo është një marrëveshje e pamatur, e cila përbën një fitore për terrorizmin dhe një kërcënim për sigurinë e shtetit të Izraeli", ka deklaruar ai.
Ai është zotuar ta "shpërndajë qeverinë" në vend që të pajtohet me propozimin.
Koalicioni i krahut të djathtë të Netanyahut ka një shumicë të vogël në parlament, e cila për të ruajtur pushtetin mbështetet në një mori fraksionesh, duke përfshirë partinë Otzma Yehudit (Fuqia Hebraike) e Ben-Gvir, e cila mban gjashtë vende, dhe partinë e Zionizmit Fetar të Smotrich, e cila mban shtatë vende.
Por Yair Lapid, një nga politikanët më me ndikim të opozitës izraelite, nxitoi t'i ofronte mbështetjen e tij kryeministrit në konflikt. Partia e tij Yesh Atid ka 24 vende.