Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka autorizuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes që të vendosin se kur dhe si do të hakmerren për sulmin vrasës raketor, që Izraeli dhe SHBA-ja ka thënë se është kryer nga grupi militant libanez Hezbollah, raporton “BBC”.
Ministrat janë mbledhur në një takim emergjent pas sulmit në Rrafshnaltën Golan të shtunën pasdite, ku u vranë 12 fëmijë dhe adoleshentë nga komuniteti Druze. Hezbollah ka mohuar përgjegjësinë.
Sulmi ka rritur frikën për një luftë të shkallës së plotë mes Izraelit e Hezbollahut. Qeveritë perëndimore i kanë bërë thirrje Izraelit të frenohet nga reagimi.
Izraeli të dielën në mëngjes kishte kryer sulme ajrore në disa caqe të Hezbollahut në Liban. E sulme kreu edhe të hënën.
Netanyahu vizitoi qytetin Majdal Shams të hënën pasdite, vendin ku ndodhi sulmi.
“Këta fëmijë janë fëmijët tanë. Shteti i Izraelit s’do të lejojë të kalojë kjo. Reagimi ynë do të vijë dhe do të jetë i rëndë”, ka thënë Netanyahu.
Banorët lokalë protestuan kundër vizitës së kryeministrit, siç raporton agjencia “AFP”, pasi ishin të zemëruar që autoritetet nuk e parandaluan sulmin e të shtunës.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka ështëë në “diskutime të vazhdueshme me palët izraelite e libaneze që nga sulmi i tmerrshëm”.
Ka thënë se po punon në një zgjidhje diplomatike përgjatë Linjës së Kaltër, “që do t’i jepte fund sulmeve”.
Të hënën në mëngjes një sulm izraelit me dron në periferi të qytetit libanez Shaqra, la të vdekur dy persona, kanë njoftuar mediumet nga Libani. Hezbollah ka thënë se të vdekurit ishin luftëtarë të tij.