Ministrja e Jashtme e Gjermanisë dhe ai i Francës kanë qëndruar për vizitë në Siri të premten, ku në emër të Bashkimit Evropian kanë takuar udhëheqësin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa.
Ata kanë theksuar se duan të krijojnë një marrëdhënie të re me Sirinë dhe kanë kërkuar një tranzicion paqësor.
Annalena Baerbock e Gjermanisë dhe Jean-Noel Barrot i Francës janë ministrat e parë nga BE-ja të cilët vizitojnë Sirinë që kur rebelët morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor dhe detyruan presidentin Bashar al-Assad të ikte pas më shumë se 13 vjetësh luftë civile, duke i dhënë fund sundimit të tij, raporton Reuters.
“Udhëtimi im sot është sinjal i qartë për sirianët: Një fillim i ri politik midis Evropës dhe Sirisë, midis Gjermanisë dhe Sirisë, është i mundur”, ka theksuar ministrja e Jashtme gjermane Baerbock para se të nisej për në Damask.
Barrot ka theksuar se shpreson “për një Siri sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore”, Këtë deklarim ai e ka barë pasi ka mbërritur në Damask, ku vizitoi edhe ambasadën franceze, e cila është e mbyllur që nga viti 2012.
Që nga rrëzimi i Assadit, rebelët islamikë të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) e Sharaa-s janë përpjekur të sigurojnë vendet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve dhe nuk do ta “eksportojnë” revolucionin islamik.
Baerbock ka deklaruar se ajo po udhëton për në Siri për arsye bashkëpunimi me udhëheqësit e rinj, porse nuk e ka lënë pa e përmendur të kaluarën e HTS-së, kur ishte degë e Al –Qaedas, duke shtuar se grupi do të gjykohet për veprimet e tyre në të ardhmen.
“Por ne gjithashtu dëgjojmë dhe shohim dëshirën për moderim dhe mirëkuptim me akterë të tjerë të rëndësishëm”, shtoi ajo, duke përmendur bisedimet me Forcat Demokratike Siriane kurde (SDF), aleate të SHBA-së.
“Qëllimi tani është që Siria të bëhet edhe një herë një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, shtoi ajo.
Barrot, i cili gjithashtu u takua me stafin sirian që kujdesej për objektet e mbyllura të ambasadës franceze, ka theksuar se Franca do të punojë drejt rivendosjes së përfaqësimit diplomatik në përputhje me kushtet politike dhe të sigurisë, thanë burimet diplomatike.
Ministrat do të takohen gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile siriane dhe do të vizitojnë burgun më famëkeq të Sirisë, kompleksin e madh Sednaya.