Ekspertët kanë vlerësuar se mbyllja e portit të Baltimores, si pasojë e shembjes së urës të martën, mund t'i kushtojë shtetit deri në 15 milionë dollar për një ditë.
Ndonëse nuk është më i madhi në SHBA, nëpër port kalojnë dhjetëra miliona tonë mallra çdo vit, duke përfshirë dërgesat e makinave dhe eksportet e qymyrit, raportoi BBC.
Ura e shembur është po ashtu pjesë e një autostrade të rëndësishme, asaj Interstate 695, që lidh SHBA-në verilindore. Tani është e paqasshme për afërsisht 30,000 banorë të Marylandit që kalojnë nëpër të çdo ditë.
Zyrtarët shtetëror të transportit nuk kanë dhënë ende ndonjë indikacion se kur mund të hapet porti për anije sërish.
Shembja e urës “Francis Scott Key” në Maryland ka ndodhur të martën, pasi një anije me mallra e cila ishte nisur nga porti i Baltimores në drejtim të Sri Lankës, kishte goditur njërën nga shtyllat e saj.
Gjashtë punëtorë nga tetë të cilët po kryenin punime në urë në momentin e shembjes, janë ende të zhdukur derisa supozohet se janë të vdekur. Ndërkaq, dy prej tyre janë nxjerrë të gjallë nga uji.