Botë

Miliarderi indian paditet në New York për ryshfet

Miliarderi indian, Gautam Adani

Miliarderi indian, Gautam Adani, dhe drejtues të tjerë janë paditur në New York për një skemë mashtrimi me miliarda euro, ka thënë të mërkurën Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Autoritetet kanë thënë se Adani dhe shtatë drejtues të lartë biznesi u premtuan më shumë se 250 milionë dollarë ryshfet zyrtarëve të qeverisë indiane për të siguruar kontrata për energjinë solare.

Ato ryshfete ishin sa për “të gënjyer investitorët dhe bankat për të mbledhur miliarda dollarë dhe për të penguar drejtësinë”, ka thënë zv.ndihmësprokurorja e përgjithshme, Lisa Miller, raportoi CNN.

Me mbi 85 miliardë dollarë pasuri, Adani është personi i dytë më i pasur në Azi pas Mukesh Ambanit, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut. Ai është themelues i konglomeratit indian “Adani Group”.

Autoritetet shtuan se Adani u takua personalisht me një zyrtar qeveritar për skemën, ndërsa thanë se të pandehurit takoheshin dhe diskutonin skemën e ryshfetit shpesh. Adani dhe bashkëpunëtorët e tij u përpoqën t’i fshihnin këto skema ryshfeti nga investitorët amerikanë “për të përfituar financime, përfshirë financimin e kontratave të furnizimit për energjinë solare të siguruara përmes ryshfetit”, ka thënë Departamenti amerikan.