Botë

Mijëra rumunë në tubimin proevropian përpara balotazhit presidencial

Rumania

Mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin rumun Bukuresht të enjten vonë në mbështetje të demokracisë përpara balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të së dielës në të cilin një kritik i ekstremit të djathtë të BE-së mund të mposht një kandidat të qendrës, proevropian.

Votimi i 8 dhjetorit vendos kandidatin e ekstremit të djathtë, prorus Calin Georgescu kundër udhëheqëses së qendrës së djathtë, Elena Lasconi.

Një fitore e Georgescut do të përmbyste politikën properëndimore të Rumanisë, duke e shtyrë atë më pranë një brezi shtetesh në Evropën Qendrore dhe Lindore me politikanë të fuqishëm të ekstremit të djathtë, miqësorë me Rusinë, duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë dhe Austrinë, raporton Reuters.

Muzikantë rumunë, regjisorë filmash, aktorë dhe aktivistë qytetarë dolën në mbështetje të Lasconit në tubimin e së enjtes mbrëma në Bukuresht, duke u kërkuar votuesve të mos e lënë vendin të izoluar.

Rreth 3,000 njerëz brohoritën “Evropë!” dhe “Jo Fashizëm” në temperaturat e ftohta, duke mbajtur pankarta ku thuhej “Demokracia është në rrezik” dhe “Fëmijët tanë do të jenë të lirë”.

Partitë e ekstremit të djathtë gjithashtu performuan mirë në zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar në Rumani, megjithëse socialdemokratët në pushtet dolën grupimi më i madh dhe shpresojnë të krijojnë së bashku një qeveri koalicioni pro-BE-së.

Zyrtarët amerikanë, francezë, gjermanë dhe moldavë ngritën shqetësime pasi dokumentet e deklasifikuara të mërkurën treguan se Rumania kishte qenë një objektiv i “sulmeve agresive hibride ruse” gjatë periudhës zgjedhore.