Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e qyteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shtunën për të kundërshtuar vendimet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton BBC.
Të njohur si “50501”, që nënkupton “50 protesta, 50 shtete, 1 lëvizje”, demonstratat u mbajtën në 250 vjetorin e fillimit të Luftës Revolucionare Amerikane.
Protestat u mbajtën në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, përfaqësitë e Teslas dhe në qendrat e shumë qyteteve, ku u parashtruan një sërë ankesash. Shumë prej tyre bënë thirrje për rikthimin e Kilmar Abrego Garcia, i cili ishte dëbuar gabimisht për në El Salvador.
Protestat politike po bëhen gjithmonë e më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara – demonstrata “Hiqi Duart” në fillim të prillit tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz në mbarë vendin.
Sondazhet e fundit të Institutit Gallup sugjerojnë se 45 për qind e votuesve e aprovojnë performancën e Trumpit në çerekun e parë të mandatit, në krahasim me 41 për qind gjatë periudhës së njëjtë në administratën e tij të parë.