Dhjetëra mijëra njerëz janë mblodhur në Bejrut herët të dielën për të marrë pjesë në funeralin e ish-udhëheqësit të Hezbollahut, gati pesë muaj pasi ai është vrarë në një sulm ajror izraelit, në një periferi jugore të kryeqytetit libanez.
Hassan Nasrallah është vrarë kur forcat ajrore të Izraelit hodhën më shumë se 80 bomba në dhomën kryesore të operacioneve të grupit militant, raporton AP.
Vdekja e tij ishte një goditje e madhe për grupin e mbështetur nga Irani, të cilin lideri i ndjerë e shndërroi në një forcë të fuqishme në Lindjen e Mesme.
Nasrallahu ishte udhëheqësi i grupit për më shumë se 30 vjet dhe një nga themeluesit e tij.
Ai gëzonte ndikim të gjerë midis grupeve të mbështetura nga Irani në rajon dhe respektohej gjerësisht në të ashtuquajturin bosht të rezistencës të udhëhequr nga Irani që përfshinte fraksionet irakiane, jemenase dhe palestineze.
Zyrtarë nga i gjithë rajoni, duke përfshirë kryetarin e parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Qalibaf, dhe ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi pritet të marrin pjesë në funeralin në stadiumin kryesor sportiv të kryeqytetit libanez.
Zyrtarët libanezë, duke përfshirë kryetarin e parlamentit dhe përfaqësuesit e presidentit dhe kryeministrit pritet të marrin pjesë po ashtu në funeralin që besohet të jetë më i madhi i Libanit në dy dekada.
Zyrtari i lartë i Hezbollahut, Ali Daamoush u ka thënë gazetarëve të shtunën se rreth 800 personalitete nga 65 vende do të marrin pjesë në funeralin, përveç mijëra individëve dhe aktivistëve që erdhën nga e gjithë bota.
Nasrallah do të varroset të dielën më vonë në Bejrut, ndërsa kushëriri dhe pasardhësi i tij, Hashem Safieddine, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në një periferi të Bejrutit disa ditë më vonë, do të varroset në qytetin e tij të lindjes në Libanin jugor.
Të dy ishin varrosur përkohësisht në vende sekrete.