Botë

Mijëra francezë protestojnë kundër zgjedhjes së Barnierit për kryeministër

Franca

Me mijëra qytetarë dolën të shtunën nëpër rrugët e qyteteve të shumta të Francës për ta kundërshtuar me protestë vendimin e presidentit Emmanuel Macron, për të emëruar Michel Barnierin për kryeministër të shtetit. 

Macroni e emëroi kryeministër Barnierin, një konservator dhe ish-negociator i Bashkimit Evropian për Brexit, gjatë së enjtes, duke i dhënë fund kërkimit rreth dymujor pas vendimit për t’i thirrur zgjedhjet legjislative. 

Në intervistën e parë si kryeministër, Barnier tha të premten se qeveria e tij, së cilës i mungon shumica e qartë, do të përfshijë konservatorë, anëtarë të kampit të Macronit dhe disa figura nga e majta.

E majta, e udhëhequr nga partia e ekstremit të majtë “France Unbowed”, e akuzoi Macronin për mohim të demokracisë dhe vjedhje të zgjedhjeve, pasi refuzoi që ta zgjedhë kryeministre kandidaten e aleancës së Frontit të Ri Popullor, që doli e para nga zgjedhjet.

 Fronti dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë së bashku e përbëjnë shumicën dhe mund ta rrëzojnë kryeministrin nëpërmjet votës së mosbesimit.