Botë

Mësuesja vret me thikë një vajzë 8-vjeçare në një shkollë në Kore të Jugut

Koreja e Jugut

Foto: Associated Press

Një mësuese ka goditur për vdekje me thikë një vajzë tetëvjeçare në një shkollë fillore në Korenë e Jugut.

Mësuesja e cila është rreth të 40-tave, ka rrëfyer se ka goditur me thikë nxënësen në qytetin qendror të Daejeon, ka bërë të ditur policia, raporton BBC.

Vajza është gjetur me plagë të thikës në katin e dytë të ndërtesës së shkollës, në orën 18:00 me kohë lokale të hënën, dhe ishte shpallur e vdekur në spital. Mësuesja u gjet pranë saj me plagë po ashtu nga thika për të cilat policia ka thënë se mund të ishin vetëshkaktuar.

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut Choi Sang-mok urdhëroi të martën një hetim mbi rastin dhe u kërkoi autoriteteve "të zbatojnë masat e nevojshme për të siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin më kurrë".

Disa vendas vendosën lule dhe një kukull në portën e shkollës, e cila u mbyll të martën.

Në një konferencë të policisë të martën, Yook Jong-myung, kreu i stacionit policor të Dajeon ka thënë se mësuesja po trajtohej në spital, duke shtuar se ajo kishte një plagë në qafë që i ishte qepur.

Zyra arsimore e Daejeon ka bërë të ditur më herët se mësuesja kishte kërkuar më 9 dhjetor pushim gjashtë mujor duke përmendur depresionin, por ishte kthyer në shkollë vetëm 20 ditë më vonë pasi një mjek e vlerësoi atë si të aftë për të punuar.

Gjatë kohës së saj të pushimit nga puna, ajo kishte mendime vetëvrasëse, ka thënë Yook, duke cituar një dëshmi që mësuesja i kishte dhënë policisë.

Disa ditë para goditjes me thikë, mësuesja kishte shfaqur sjellje të dhunshme.

Sipas dëshmisë së dhënë nga mësuesja në polici, ajo kishte blerë një armë ditën e sulmit dhe e kishte sjellë në shkollë, duke shtuar se kishte planifikuar të vriste veten së bashku me një fëmijë.

Koreja e Jugut është një vend përgjithësisht i sigurt, me ligje të rrepta për kontrollin e armëve. Por vitet e fundit, ajo është përballur me disa krime të profilit të lartë, duke përfshirë therje me thikë.