Dërgimi i më shumë ndihmave ushtarake për Ukrainën është një nga pikat e rendit të ditës në bisedimet e së hënës mes ministrave të jashtëm të BE-së, të cilët janë mbledhur në Luksemburg.
Kancelari i ardhshëm gjerman, Friedrich Merz, ka sugjeruar të dielën se qeveria e tij më në fund mund të përmbush kërkesën e kahershme të Kievit për të furnizuar Ukrainën me raketa Taurus, të afta për të goditur brenda Rusisë.
“Unë kam thënë gjithmonë se do ta bëja këtë vetëm në marrëveshje me partnerët evropianë”, ka thënë ai në një intervistë për ARD, duke vënë në dukje se të tjerët, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, tashmë po furnizojnë me raketa Ukrainën.
“Kjo duhet të jetë e koordinuar dhe nëse është e koordinuar, atëherë Gjermania duhet të marrë pjesë”, ka shtuar ai.
Komentet e tij janë në kontrast të plotë me ato të kancelarit në largim Olaf Scholz, i cili në mënyrë të përsëritur ka refuzuar t'i jepte Ukrainës raketat nga frika e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Kontrolli mbi raketat Taurus, teorikisht të afta për të goditur objektivat në Moskë, do të garantohej vetëm nëse ushtarët gjermanë do të përfshiheshin drejtpërdrejt në gjuajtjen e tyre dhe "kjo është krejtësisht jashtë diskutimit", kishte shpjeguar Scholz në një bisedë të zbuluar vitin e kaluar.