Botë

Merz e fton Netanyahun në Gjermani

Friedrich Merz dhe Benjamin Netanyahu

Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka thënë të hënën se ka ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për ta vizituar Gjermaninë dhe se do të gjente një mënyrë që ai ta bënte këtë pa u arrestuar sipas një urdhërarresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

"Unë mendoj se është një ide krejtësisht absurde që një kryeministër izraelit nuk mund të vizitojë Republikën Federale të Gjermanisë”, ka thënë Merz në një konferencë shtypi një ditë pasi konservatorët e tij fituan pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet kombëtare, raporton Reuters.

Ai ka shtuar se i kishte thënë Netanyahut gjatë një bisedele telefonike se do të gjente mënyrën dhe mjetet që ai ta vizitonte Gjermaninë dhe të largohej përsëri pa u arrestuar. 

Zyra e Netanyahut ndërkaq ka thënë se kryeministri izraelit e kishte uruar Merzin dhe se Merz i kishte thënë Netanyahut se do ta ftonte në Gjermani "në kundërshtim me vendimin skandaloz të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për etiketimin e kryeministrit si kriminel lufte".

ICC me bazë në Hagë ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe zyrtarë të Hamasit për krime lufte të dyshuara të kryera në Gaza.

Të 27 vendet e BE-së, përfshirë Gjermaninë, janë nënshkruese të traktatit themelues të gjykatës, e vetmja gjykatë ndërkombëtare e përhershme për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, e cila u kërkon anëtarëve të arrestojnë të dyshuarit e saj në territorin e tyre.

Gjermanët ndjejnë një përgjegjësi të veçantë ndaj Izraelit për shkak të trashëgimisë së Holokaustit dhe Merz e ka bërë të qartë se është një aleat i fortë. Por Gjermania ka gjithashtu një traditë të fortë të mbështetjes për drejtësinë ndërkombëtare për krimet e luftës.