Botë

“Merr frymë thellë para se të vendosësh”

Benjamin Netanyahu me Joe Bidenin

Foto: Associated Press

Izraeli ka kryer hakmarrjen ndaj Iranit për sulmet raketore të 1 tetorit. Avionët ushtarakë izraelitë kanë pasur në shënjestër objektet ushtarake të Iranit. Përgjigjja e Izraelit duket të ketë marrë parasysh sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të treguar përmbajtje në “sulmin hakmarrës”, në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata në rajonin veçse të tensionuar

Disa orë pasi raketat iraniane ranë në Izrael më 1 tetor, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ia ka dërguar një mesazh urgjent Izraelit.  

“Merr frymë thellë”, ishte mesazhi. 

Izraeli, siç ka thënë Washingtoni, kishte kohë për ta vendosur mënyrën më të mirë për t’iu kundërpërgjigjur sulmit iranian, nga i cili Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar se do të kishte vrarë mijëra, nëse Izraeli, bashkë me mbështetjen e ushtrisë amerikane, nuk do të ishte në gjendje të mbrohej nga ai sulm.

Sulmi masiv iranian ka pasur potencialin të nxiste një përgjigje të rreptë dhe të shpejtë izraelite që, vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, do ta çonte Lindjen e Mesme në një konflikt të gjerë rajonal, kanë thënë zyrtarët e shqetësuar.

Zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët amerikanë shpjegojnë se si Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndikojnë mbi vendimet e Izraelit, gjatë më shumë se tri javëve, përpara se ushtria izraelite ta niste hakmarrjen me sulme ajrore që ishin të synuara drejt objektivave ushtarake, çka e ka shqetësuar Washingtonin fillimisht.

Sulmi izraelit ka shkatërruar objektet kryesore iraniane të mbrojtjes ajrore dhe prodhimit të raketave, duke e dobësuar ushtrinë e Iranit. Por më e rëndësishmja, janë shmangur zonat bërthamore dhe infrastruktura energjetike e Iranit, duke përmbushur kështu dy kërkesat kryesore të Bidenit.

“Presioni i SHBA-së ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Jonathan Panikoff, ish-zëvendësoficer i Inteligjencës kombëtare të SHBA-së për Lindjen e Mesme. “Vendimmarrja izraelite do të ishte shumë më e ndryshme, nëse administrata e Bidenit nuk do të kishe marrë masa për ta shtyrë Izraelin t’i shmangë zonat nukleare ose ato energjetike”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka mohuar që Izraeli i ka shmangur sulmet në objektet iraniane të gazit dhe të naftës për shkak të presionit të SHBA-së.

“Izraeli i ka zgjedhur paraprakisht shënjestrat e sulmit, në bazë të interesave kombëtare dhe jo sipas diktimeve amerikane”, ka thënë ai.

Lëvizja e parë nga administrata e Bidenit ka qenë të kuptohej se Irani do të duhej të paguante për sulmin e 1 tetorit, kanë thënë zyrtarët.

“Në orët pas atij sulmi, ne kemi premtuar se Irani do të përballet me pasoja serioze”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka bërë dhjetëra thirrje me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, që nga 1 tetori. Austini dhe Gallanti e kanë diskutuar përgjigjen adekuate ndaj sulmit.

“Ne e kemi ditur se izraelitët ishin gati të bënin diçka dhe Austin kërkonte që të ishte proporcionale”, ka thënë një zyrtar amerikan për bisedat e Austinit me Gallantin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sikurse zyrtarët e tjerë të lartë të administratës, ka bërë telefonata, duke folur me aleatët evropianë dhe arabë në ditët pas sulmit iranian të 1 tetorit, duke thënë se Izraeli duhet të përgjigjet, por duke i siguruar ata se Washingtoni po punonte për ta bërë një kundërpërgjigje më të përmbajtur.

Por cila do të ishte përgjigjja proporcionale që do ta pengonte një sulm të ardhshëm iranian? 
Edhe pse sulmi i 1 tetorit nga Irani ka vrarë një person - një palestinez që vdiq nga mbetjet e predhës së rrëzuar -  shumë prej raketave të Iranit nuk janë neutralizuar nga mbrojtja ajrore izraelite ose amerikane.

Jeffrey Lewis, ekspert në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Middlebury, ka thënë se analiza e imazheve satelitore ka treguar se ka pasur të paktën 30 pasoja të sulmit në bazën ajrore të Izraelit, Nevatim.

Kjo do të sugjeronte se Izraeli ose është përpjekur ta ruante furnizimin e mbrojtjes ajrore, ose thjesht ka menduar se objekti i prekur do të ishte më pak i kushtueshëm për t’u riparuar, sesa neutralizimi i secilës predhë të lëshuar nga Irani, ka thënë Lewisi.

“Izraeli ndoshta ka vendosur se furnizimet e municioneve kanë qenë të pakta ose që neutralizuesit ishin shumë të shtrenjtë për t’u përdorur për rrëzimin e raketave balistike”, ka thënë Lewisi.

Mbrojtja ajrore

Kur administrata ka filluar së pari të flasë me izraelitët, në mesin e shënjestrave potenciale të tyre ishin edhe zonat nukleare dhe të naftës së Iranit, ka thënë një zyrtar i SHBA-së, edhe pse ka theksuar se Izraeli nuk kishte vendosur definitivisht t’i sulmojë këto shënjestra.

Por, zyrtarët amerikanë kanë punuar për të paraqitur një opsion tjetër alternativ, që ka përfshirë një sërë masash të ndryshme. Washingtoni ka punuar për të vendosur sanksione të naftës, duke e shënjestruar të ashtuquajturën “Flota Fantazmë” e Iranit, për të ofruar kështu një masë alternative për izraelitët që kanë dashur t’i dëmtonin të ardhurat e naftës së Iranit.

Zyrtari i lartë i administratës së Bidenit ka thënë se SHBA-ja ka punuar për ta forcuar mbrojtjen ajrore izraelite, para sulmit të së shtunës në Iran. Kjo ka përfshirë një dërgim të rrallë të SHBA-së të sistemit të mbrojtjes THAAD në Izrael së bashku me rreth 100 ushtarë amerikanë për ta operuar sistemin.

Para dërgimit të sistemit, SHBA-ja ka dashur t’i dijë planet izraelite për kundërsulm.

Bideni ka mbajtur takim virtual me Netanyahun më 9 tetor, çka e ka ndihmuar SHBA-në ta kuptojë më mirë se si do të duket përgjigjja izraelite, duke lejuar kështu që të dërgohet sistemi THAAD, kanë thënë zyrtarët.

Teksa Irani ka paralajmëruar se mbështetësit e Izraelit do të shënjestroheshin si përgjigje ndaj çdo sulmi izraelit, shtetet e Gjirit kanë deklaruar se do të mbajnë qëndrim neutral.

Arabia Saudite ka qenë e kujdesshme ndaj sulmeve iraniane në objektet e veta të naftës, që kur sulmi i vitit 2019 në rafinerinë kryesore në Abqaiq, për një kohë ka ndërprerë më shumë se 5 për qind të furnizimit botëror të naftës. Irani e ka mohuar përfshirjen.

Për ta adresuar dëshirën e Izraelit për ta ndëshkuar sektorin e naftës së Iranit, administrata e Bidenit ka vendosur sanksione. Kjo ka përfshirë një zgjerim të sanksioneve më 11 tetor, kundër sektorëve iranianë të naftës dhe petrokimisë.

Inkurajimi i aleatëve evropianë për të vendosur ndëshkime ndaj kompanisë ajrore iraniane “Iran Air”, e në të njëjtën kohë edhe dërgimi i sistemeve THAAD si parandalues dhe dëshmia para botës se SHBA-ja e mbështet Izraelin, kanë qenë elemente kryesore të kësaj “pakoje” të masave alternative. 

Dhe ky opsion, ka argumentuar administrata, do të ishte parandalues i fuqishëm dhe efektiv në imponimin e kostove të Iranit, pa e tërhequr rajonin në luftë më të gjerë, të cilën Washingtoni ka besuar se Izraeli nuk e dëshiron, kanë thënë zyrtarët.

Larg zonave nukleare

Në atë që shumë ekspertë e kanë parë si mesazh ndaj Iranit, ushtria amerikane gjithashtu ka kryer sulme kundër grupit Houthi në Jemen me bomba me rreze të gjatë B-2. Grupi Houthi përkrahet nga Irani. 

Austini ka thënë se në të njëjtën kohë se sulmi ka qenë një demonstrim unik i aftësisë së Pentagonit për të goditur objekte që janë të vështira për t’u arritur, “pavarësisht se sa thellë në tokë, sa të blinduara ose të fortifikuara janë”.

Ndërsa janë ngritur spekulimet nëse Izraeli do t’i godiste zonat bërthamore të Iranit, mesazhi i Washingtonit për Izraelin ishte se vendi mund të llogariste në ndihmën amerikane, nëse Teherani zgjedh ndonjëherë të ndërtojë armë bërthamore, diçka që komuniteti i inteligjencës amerikane nuk beson se e ka bërë ende.

Tani nuk ishte koha e duhur.

“Implikimi ishte se nëse izraelitët e duan ndihmën afatgjatë të SHBA-së për të shkatërruar objektiva të tilla – nëse merret vendimi për ta bërë këtë – ata do të duhet të jenë më të matur kësaj radhe”, ka thënë ish-zyrtari i Inteligjencës amerikane, Jonathan Panikoff.

Për Blinkenin, një kundërsulm i matur izraelit kundër Iranit mund t’iu hapë mundësinë qëllimeve diplomatike të paarritshme, në luftën tashmë të trazuar rajonale mes Izraelit e Hamasit në Gaza dhe Izraelit e Hezbollahut në Liban, të dy grupe tjera të mbështetura nga Irani. 

Gjatë vizitës në Lindjen e Mesme javën e kaluar, Blinken u ka thënë ministrave të Jashtëm arabë se diskutimet e SHBA-së me Izraelin kanë arritur në një pikë, ku ushtria izraelite do t’i shënjestronte vetëm objektivat ushtarake. Irani, nga ana tjetër, nuk duhet të bëjë gjë tjetër, ka thënë Blinken, në një mesazh që shpresonte të arrinte edhe në Teheran.

Të dielën, ndërsa pluhuri është ulur pas sulmit, asnjëra palë nuk ka sinjalizuar përshkallëzim të mëtejshëm. 

Netanyahu ka thënë se sulmet ajrore izraelite “kanë goditur rëndë” mbrojtjen dhe prodhimin e raketave të Iranit. Udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se dëmi nga sulmi i së shtunës nuk duhet të ekzagjerohet.

Teksa është e vështirë të parashikohet nëse Izraeli dhe Irani do t’i ulin tensionet mes vete, zyrtarët e SHBA-së kanë thënë se administrata e Bidenit ka punuar fort për të krijuar një mundësi, për ta thyer ciklin e paprecedentë të sulmeve të drejtpërdrejta dhe kundërsulmeve që kanë filluar në prill.
“Nëse Irani vendos të përgjigjet përsëri, ne do të jemi gati, dhe do të ketë pasoja prapë për Iranin. Megjithatë, ne nuk duam që kjo të ndodhë”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit.
Strategjia e Bidenit për t’u përpjekur ta frenojë Izraelin është pritur edhe me kritika, duke i përfshirë republikanët opozitarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç është Mike Turner, kongresist republikan që e kryeson Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ata e kanë kufizuar aftësinë e Izraelit për të ndikuar realisht në Iran”, ka thënë Turneri për Fox News.

Aaron David Miller, bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Endowment for International Peace, ka thënë se rezultati i sulmeve të ndërsjella është zgjerim i tolerancës së mundshme ndaj rrezikut në Izrael, që mund të zgjerohet më tej nëse kandidati republikan dhe ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

“Nëse Trumpi i fiton këto zgjedhje, mendoj se izraelitët do të kërkojnë më shumë mundësi në muajt e ardhshëm, tani që kanë demonstruar se mund të shpëtojnë mirë me dëmtimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit dhe, në thelb, duke shkaktuar mjaft dëme”, ka thënë Milleri.