Botë

Merkeli spektatore në mbledhjen e Parlamentit të ri gjerman

Derisa Olaf Scholzi i SPD-së pritet që ta zëvendësojë Merkelin në postin e kancelarit, partia ka nominuar eksperten e politikave shëndetësore, Baerbel Blas, për ta zëvendësuar Wolfgang Schaublen si kryetar i Bundestagut, në përpjekjen për të garantuar që tri postet më të larta politike në vend të mos mbahen nga burrat. Ajo është gruaja e tretë që është caktuar në këtë detyrë

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, ka shikuar nga galeria e vizitorëve të martën derisa Parlamenti i ri ka zgjedhur për kryetare një grua nga radhët e socialdemokratëve (SPD) të qendrës së majtë.

67-vjeçarja Merkel, e cila nuk ka garuar për rizgjedhje në votimet federale të 26 shtatorit pas katër mandatesh në detyrë, do të shërbejë si ushtruese e detyrës së kancelares derisa të formohet Qeveria e re, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

SPD-ja, e cila doli fituese në zgjedhje, është përfshirë në bisedime zyrtare për formimin e koalicionit qeverisës bashkë me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë probiznes deri më 6 dhjetor, datë kjo kur konservatorët e Merkelit do të transferoheshin në opozitë pas 16 vjetësh në pushtet.

Derisa Olaf Scholzi i SPD-së pritet që ta zëvendësojë Merkelin si kancelar, partia ka nominuar eksperten e politikave shëndetësore, Baerbel Blas, për ta zëvendësuar Wolfgang Schaublen si kryetar i Bundestagut, në përpjekjen për të garantuar që tri postet më të larta politike në vend të mos mbahen nga burrat. Ajo është gruaja e tretë që është caktuar në këtë detyrë.

“Përgjegjësia ende nuk është ndarë barabar mes çdokujt dhe e shoh këtë si njërën prej detyrave të mia kryesore si kryetare e Bundestagut”, ka thënë Blas në fjalimin e saj të parë në këtë cilësi. “Diversiteti është një mundësi për të gjithë ne në këtë shtëpi, por edhe jashtë saj”, citon Reutersi deklaratën e saj.

Dhoma e re e Ulët e Parlamentit apo Bundestagu përbëhet nga një numër më i lartë grash dhe përkatësish të pakicave etnike sesa më herët, megjithëse kritikët nënvizojnë se ajo ende nuk e reflekton përbërjen më të gjerë të shoqërisë gjermane.

SPD-ja, të Gjelbrit dhe FDP-ja po e përshkruajnë koalicionin e tyre si një fillim i ri për Gjermaninë që në fokus do ta ketë modernizimin e ekonomisë më të madhe të Evropës dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Të tri partitë deri më tani kanë projektuar një front më konsensual sesa që shumica kanë pritur, sidomos për shkak të dallimeve ideologjike ndërmjet FDP-së dhe të Gjelbërve e SPD-së që anojnë më nga e majta.

Një gjë e tillë mund të zbusë frikën në Gjermani e gjetkë se largimi i Merkelit mund të jetë paralajmërues i një periudhe të jostabilitetit politik. Bundestagu i ri, i cili kësaj radhe ka përbërje më të madhe prej 736 ligjvënësish, nuk pritet që të kalojë ndonjë ligj derisa të mos formohet koalicioni i ri dhe prej saj pritet që më pas të votojë rreth kancelarit të ri.