Botë

Meloni s’e përjashton mundësinë për kundërpërgjigje ndaj tarifave amerikane

Giorgia Meloni

Foto: Associated Press

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar të mërkurën se tarifat e reja amerikane, që pritet të bëhen publike nga presidenti Donald Trump më vonë gjatë ditës, mund të kenë pasoja të rënda për prodhuesit italianë dhe të kufizojnë qasjen e mallrave italiane për konsumatorët amerikanë.

Gjatë adresimit të saj mbi tensionet tregtare, Meloni ka thënë se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tregu i dytë më i madh eksportues, me një rritje të eksporteve prej 17% në vitin 2024 dhe se tregu amerikan është jashtëzakonisht i rëndësishëm për neve”. 

“Është e qartë se prezantimi i tarifave të reja do të ketë pasoja të rënda për prodhuesit italianë. Unë gjithashtu besoj se është e padrejtë për shumë amerikanë, për shkak se do të kufizonte qasjen në produktet tona vetëm për ata njerëz që mund të përballojnë çmimet e larta”, ka shtuar ajo.

Meloni ka theksuar nevojën për të shmangur një luftë tregtare, porse ka thënë se nuk e përjashton mundësinë për të ndërmarrë masa të cilat “mbrojnë industritë tona”.

Presidenti italian, Sergio Mattarella i ka cilësuar gjithashtu tarifat si “një gabim i madh” dhe u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të reagojnë me një qëndrim “të bashkuar, të qetë dhe të vendosur”.