Botë

Meksika ngre vendstrehime të përkohshme si përgatitjet për deportimet masive të Trumpit

Meksike

Foto: Associated Press

Autoritetet meksikane kanë filluar ndërtimin e vendstrehimeve gjigante me tenda në qytetin e Ciudad Juarez për t'u përgatitur për një fluks të mundshëm të meksikanëve të dëbuar, sipas masës së premtuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për depërtimet masive të emigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Vendstrehimet e përkohshme në Ciudad Juarez do të kenë kapacitetin për të strehuar mijëra njerëz dhe duhet të jenë gati brenda pak ditësh, ka thënë zyrtari komunal, Enrique Licon, raporton Reuters.

"Është e paprecedentë", ka thënë Licon të martën pasdite, ndërsa punëtorët shkarkonin mbajtëset e gjata metalike nga rimorkiot e traktorëve.

Tendat në Ciudad Juarez janë pjesë e planit të qeverisë meksikane për të përgatitur strehimore dhe qendra pritjeje në nëntë qytete në të gjithë Meksikën veriore.

Autoritetet në vend do t'u ofrojnë meksikanëve të dëbuar ushqim, strehim të përkohshëm, kujdes mjekësor dhe ndihmë për marrjen e dokumenteve të identitetit, sipas një dokumenti qeveritar që përshkruan strategjinë, të quajtur "Meksika ju përqafon".

Qeveria po planifikon gjithashtu të ketë një flotë autobusësh të gatshëm për të transportuar meksikanët nga qendrat e pritjes në vendlindjet e tyre.

Trumpi është zotuar të kryejë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e SHBA-së, e cila do të largonte miliona emigrantë. Megjithatë, një operacion i asaj shkalle do të zgjaste vite dhe do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm.

Gati pesë milionë meksikanë jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa autorizim, sipas një analize nga grupi i ekspertëve meksikan "El Colegio de la Frontera Norte" (COLEF) bazuar në të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë në SHBA.

Shumë janë nga pjesët e Meksikës qendrore dhe jugore të rrënuara nga dhuna dhe varfëria. Rreth 800,000 meksikanë pa dokumente në Shtetet e Bashkuara janë nga Michoacan, Guerrero dhe Chiapas, sipas studimit COLEF, ku betejat e ashpra midis grupeve të krimit të organizuar kanë detyruar mijëra të largohen vitet e fundit, duke lënë ndonjëherë qytete të tëra të braktisura.