Shteti meksikan ka ekstraduar të enjten trafikantin famëkeq të drogës, Rafael Caro Quintero dhe 28 anëtarë të karteleve të drogës në Shtetet të Bashkuara të Amerikës, raporton CNN.
Caro Quintero, i konsideruar nga autoritetet meksikane si njëri nga themeluesit e kartelit “Guadalajara”, ishte përfshirë në kidnapimin, torturimin dhe vrasjen e agjentit të Agjencisë Kundër Drogës (DEA), Enrique Camarena Salazar, në vitin 1985.
Ai kishte kaluar 28 vjet në burgjet meksikane për rolin e tij në vrasjen e agjentit amerikan, deri në lirimin e tij në vitin 2013. Gjykata Supreme në Meksikë e kishte hedhur poshtë vendimin që e liroi atë.
Në vitin 2022, Caro Quintero, ishte kapur nga ushtria meksikane gjatë një operacioni që rezultoi në vdekjen e 14 ushtarëve, pas përplasjes së një helikopteri që ishte në kërkim të tij.
“Ky moment është jashtëzakonisht personal për burrat dhe gratë e DEA-s që besojnë se Caro Quintero është përgjegjës për torturimin dhe vrasjen brutale të agjentit të DEA-s, Enrique ‘Kiki’ Camarena. Është gjithashtu një fitore për familjen Camarena. Dita e sotme dërgon një mesazh për çdo lider të karteleve, çdo trafikant, çdo kriminel që po helmon komunitetet tona”, ka thënë drejtori i përkohshëm i DEA-s, Derek Maltz.
Seanca e parë gjyqësore kundër Quinteros pritet të mbahet të premten (sot) në New York.