Botë

Meksika e dërgon Ekuadorin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Meksika e ka dërguar Ekuadorin në gjykatën kryesore të Kombeve të Bashkuara të martën, duke e akuzuar shtetin për dhunim të së drejtës ndërkombëtare, me hyrjen e dhunshme në Ambasadën meksikane në Quito për të arrestuar ish-presidentin ekuadorian, i cili kishte kërkuar azil në Meksikë.

Ngjarja e 5 prillit, disa orë pasi Meksika i kishte dhënë azil ish-presidentit, Jorge Glas, ka nxitur tensione ndërmjet dy vendeve, raporton AP.

Liderët në të gjithë Amerikën Latine e kanë dënuar bastisjen, duke e cilësuar një shkelje flagrante të Konventës së Vjenës në Marrëdhëniet Diplomatike.

Ekuadori ka thënë se Glas po kërkohej për shkak të një dënimi për korrupsion, dhe jo për arsye politike, dhe ka argumentuar se Meksika, duke i dhënë azil një krimineli të dënuar, ishte vetë duke e shkelur konventën e Vjenës.

Ndër masat që kërkon Meksika janë që gjykata botërore të urdhërojë Ekuadorin të ndërmarrë "hapat e duhur dhe të menjëhershëm për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e plotë të ambienteve diplomatike" dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje të mëtejshme. Ajo gjithashtu dëshiron që Ekuadori të lejojë Meksikën të qartësojë lokacionet e saj diplomatike dhe shtëpitë e diplomatëve të saj në vend.

Në rastin e paraqitur më 11 prill, Meksika po ashtu i ka kërkuar gjykatës që të suspendojë Ekuadorin nga Kombet e Bashkuara.