Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ka thënë të mërkurën se do t’i kërkonte ministrit të Jashtëm të shtetit që të bisedonte me ambasadorin e SHBA-së, që të rifillonte importi i avokados nga Meksika.
SHBA-ja ka ndërprerë inspektimet e sigurisë për avokado dhe mango nga shteti meksikan i Michoacán për shkak të një incidenti sigurie që përfshin stafin e Departamentit të Bujqësisë të SHBA-së (USDA), ka thënë një zëdhënës i agjencisë, raporton Reuters.
Zëdhënësi ka thënë se avokadot dhe mangot tashmë në tranzit nga Michoacán nuk do të preken, por inspektimet e mëtejshme u pezulluan "deri në njoftimin e ardhshëm".
Një pezullim i zgjatur i inspektimeve të avokados mund të shkaktojë një goditje për një nga eksportet kryesore të fermave të Meksikës për në SHBA.
"Programet e inspektimit të sigurisë do të qëndrojnë të pezulluara derisa të rishikohet situata e sigurisë dhe të vendosen protokollet dhe masat mbrojtëse”, ka thënë zëdhënësi i USDA-së.
Në vitin 2022, zyrtarët amerikanë pezulluan përkohësisht dërgesat e avokados nga Michoacán, një shtet me probleme të gjata me dhunën e bandave, duke përmendur gjithashtu problemet e sigurisë me të cilat përballen inspektorët.