Claudia Sheinbaum është zgjedhur presidentja e parë grua e Meksikës në një fitore historike bindëse.
Autoriteti zyrtar zgjedhor i Meksikës ka thënë se rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiakja 61-vjeçare e qytetit të Meksikos fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës, raporton BBC.
Kjo i jep asaj një epërsi prej më shumë se 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez.

Sheinbaum do të zëvendësojë mentorin e saj, presidentin në largim, Andrés Manuel López Obrador, më 1 tetor.Si një ish-shkencëtare e energjisë, ajo ka premtuar vazhdimësi, duke thënë se ajo do të vazhdojë të ndërtojë mbi "përparimet" e bëra nga López Obrador.
Mbështetësit e saj po festojnë në Zócalo, sheshin kryesor të qytetit të Meksikos, duke valëvitur pankarta ku lexojnë "Claudia Sheinbaum, presidente".
Përpara se të kandidonte për presidente, Sheinbaum ishte kryetare e qytetit të Meksikos, një nga postet më me ndikim politik në vend dhe që shihet si hapja e rrugës për presidencën.
Sheinbaum, gjyshërit e nënës hebrenj të së cilës emigruan në Meksikë nga Bullgaria duke ikur nga nazistët, pati një karrierë të shkëlqyer si shkencëtare përpara se të merrej me politikë.
Të dy prindërit e saj ishin shkencëtarë dhe Sheinbaum studioi fizikë përpara se të vazhdonte të merrte një doktoraturë në inxhinierinë e energjisë.
Ajo kaloi vite në një laborator kërkimor të njohur në Kaliforni duke studiuar modelet meksikane të konsumit të energjisë dhe u bë eksperte për ndryshimet klimatike.

Meksika do ta ketë presidenten e parë grua në historinë e saj
Claudia Sheinbaum do të jetë presidentja e parë grua e Meksikës, sipas sondazheve të daljes, raportoi të hënën BBC-ja.
Ish-kryetarja 61-vjeçare e qytetit të Meksikos parashikohet të fitojë 56% të votave në zgjedhjet e së dielës, duke mposhtur bindshëm rivalen e saj kryesore, biznesmenen Xochitl Galvez.
Edhe rezultatet paraprake i japin asaj epërsi të gjerë.
Nëse konfirmohen sondazhet e daljes, Sheinbaumi do ta zëvendësojë mentorin e saj, presidentin në largim Andres Manuel Lopez Obrador, më 1 tetor.
Ajo ka thënë se do të vazhdojë me përparimet e bëra nga Lopez Obrador.
Partia e tyre Morena tashmë ka shpallur fitoren - mirëpo Galvez u kërkoi mbështetësve të saj t’i presin rezultatet zyrtare, që priten të shpallen të hënën.
Përveç presidentes së re, votuesit zgjedhin gjithashtu anëtarët e Kongresit të Meksikës dhe guvernatorët në tetë shtete, kreun e qeverisë së qytetit të Meksikos dhe mijëra zyrtarë lokalë.
Lopez Obradorit, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2018, iu ndalua të kandidojë për një mandat të dytë sipas kushtetutës së Meksikës, e cila i kufizon presidentët në një mandat të vetëm gjashtëvjeçar.