Botë

Mbyllja e anëtarëve të opozitës venezuelase në një ambasadë në Karakas

Venezuela

Për një vit pesë anëtarë të koalicionit opozitar të Venezuelës janë mbyllur në Ambasadën argjentinase në Karakas, nga frika e shtypjes jashtë mureve të saj. Inteligjenca venezuelane dhe forcat e armatosura janë të vendosura në rrugë jashtë ambienteve të ambasadës. Dalja jashtë ambasadës do të nënkuptonte arrestim të sigurt. Qeveria e Venezuelës i ka akuzuar ata për krime si tradhtia dhe konspiracioni – akuza që ata i mohojnë

Çdo mëngjes, Magalli Meda shijon lindjen e diellit.

Ajo zgjohet herët, pi kafenë e saj dhe merr frymë në aromën e freskët të mangove të varura në një pemë aty pranë.

Një simfoni e ketrave, zogjve e gjelave - ofron kolonën zanore për fillimin e ditës së saj, teksa silueta e errët e majës më të njohur të Karakasit, Cerro El Avila, shfaqet në horizont.

Pamjet dhe tingujt janë një ngushëllim i përditshëm që ajo ka gjetur mes zymtësisë së izolimit të saj.

“Është diçka që regjimi nuk ka mundur ta heqë nga ne”, tha Meda.

Për një vit Meda dhe katër anëtarë të tjerë të koalicionit opozitar të Venezuelës - Pedro Urruchurtu, Omar Gonzalez, Humberto Villalobos dhe Claudia Macero - janë mbyllur në Ambasadën argjentinase në Karakas, nga frika e shtypjes jashtë mureve të saj.

Që nga 20 marsi 2024, bota e tyre është kufizuar në 3850 metra katrorë të rezidencës diplomatike.

Ata mund të dalin jashtë në kopsht ose në ballkon, por jo më tej. Jashtë portës së bardhë të gjatë, autoritetet venezuelase patrullojnë në rrugë dhe ka mbikëqyrje të vendosura në ndërtesat aty pranë.

Atyre nuk u lejohen vizitorë e as të vizitojnë, uji është i pakët dhe kanë energji elektrike të kufizuar, shumica e ushqimit të tyre është prishur.

Dalja jashtë Ambasadës do të nënkuptonte arrestim të sigurt. Qeveria e Venezuelës i ka akuzuar ata për krime të tilla si tradhtia dhe konspiracioni – akuza që ata i mohojnë.

Në vend të kësaj, ata thonë se janë në shënjestër për kundërshtimin e tyre ndaj presidentit venezuelas Nicolas Maduro, një lider i akuzuar për abuzim të të drejtave të njeriut duke përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturën.

“Regjimi shumë kohë më parë e ktheu këtë ambasadë në burg”, tha Meda. “Ne nuk jemi azilkërkues, jemi pengje”.

Shkatërrim në rritje

Meda kujton lindjen e fundit të diellit që ka shijuar jashtë ambasadës.

Ajo ishte zgjuar herët për të marrë pjesë në takimet me lideren e opozitës Maria Corina Machado për të diskutuar mbi persekutimin në rritje nga qeveria venezuelase – dhe për të vendosur se kush do ta përfaqësonte koalicionin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Qeveria e kishte ndaluar tashmë Machadon të kandidonte, pavarësisht fitores së saj dërrmuese në zgjedhjet paraprake brenda opozitës.

Më pas, erdhi një lajm që ndryshoi gjithçka. Prokurori i përgjithshëm i Venezuelës Tarek William Saab ishte shfaqur në televizion për të shpallur urdhërarrest për një sërë anëtarësh të opozitës - dhe emri i Medas ishte në listë.

“Duhej të iknim, të fshiheshim dhe të strehoheshim. Ishte një situatë e tmerrshme”, tha Meda, e cila ishte menaxhere e fushatës së Machados gjatë zgjedhjeve. Ajo foli për Al Jazeeran përmes korrespondencave me shkrim të dërguara në mënyrë elektronike.

“Nuk do ta harroj kurrë atë thirrje...kur ia kumtova burrit tim lajmin”.

Dy nga kolegët e saj tashmë ishin arrestuar atë ditë. Në një video virale, Dignora Hernandez, sekretarja politike e opozitës, mund të shihet duke bërtitur për ndihmë ndërsa agjentët e futën atë në një makinë.

Meda dhe të tjerët duhej të vepronin shpejt. Në të kaluarën, anëtarët e opozitës kishin kërkuar strehim brenda kufijve të ambasadave, duke përfituar nga një traktat ndërkombëtar - Konventa e Karakasit e vitit 1954 - që lejon misionet diplomatike në Amerikën Latine t’u japin azil individëve që përballen me persekutim politik.

Për më tepër, Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike i ndalon autoritetet e vendit pritës që të hyjnë në ambiente të ambasadave pa leje paraprake.

Në rastin e Medës do të ishte Ambasada argjentinase ajo që do të ofronte strehën vendimtare. Qeveria argjentinase kishte qenë prej kohësh kritikuese ndaj abuzimeve të raportuara të të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro dhe i ofroi Medës dhe pesë të tjerëve azil në rezidencën e ambasadës.

Fillimisht, Meda dhe kolegët e saj jo vetëm që gjetën siguri fizike brenda mureve të ambasadës, por edhe një hapësirë ​​për të vazhduar punën e tyre në fushatën presidenciale përpara zgjedhjeve të vitit 2024.

Por një vit më vonë, situata e grupit është bërë më e pasigurt – dhe Maduro është ende në pushtet.

Pas votimit të 28 korrikut, Maduro pretendoi fitoren, pavarësisht nga votat e publikuara që tregojnë se ai u mposht nga kandidati i opozitës, Edmundo Gonzalez.

Në dhjetor, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut hapi një hetim për të analizuar provat se votimi ishte i manipuluar. Ai urdhëroi qeverinë Maduro të përmbahet nga shkatërrimi i çdo numërimi zgjedhor, ndërkohë që hetimi është në vazhdim.

Pasi Argjentina refuzoi të njohë fitoren e kontestuar të Maduros në zgjedhje, diplomatët e saj u dëbuan. Argjentina ia transferoi kontrollin e ambasadës Brazilit, por diplomatët brazilianë nuk kanë mundur të hyjnë në ambientet e bllokuara të ambasadës argjentinase nga autoritetet lokale.

Pesë opozitarë sot mbeten vetëm brenda ambasadës së zbrazët.

Inteligjenca venezuelase dhe forcat e armatosura janë të vendosura në rrugë jashtë. Zyrtarët e sigurisë kanë sekuestruar shtëpitë aty pranë dhe ata brenda ambasadës thonë se kompania shtetërore e energjisë elektrike erdhi për të marrë siguresat nga kutia e energjisë elektrike, duke i lënë vetëm një gjenerator për energji.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar Venezuelën për shkeljen e rregullave ndërkombëtare për azilin, duke përfshirë të drejtën për kalim të sigurt.

Carolina Jimenez Sandoval, presidente e Zyrës së Uashingtonit për Amerikën Latine, e një grupi avokues me qendër në Shtetet e Bashkuara, e përshkroi situatën si një “rrethim”.

“Një qëllim është t’i thyejmë ata psikologjikisht – t’i bëjmë ata të ndiejnë se është më mirë për ta të largohen nga ambasada dhe më pas t’i lejojnë forcat e sigurisë venezuelase t'i ndalojnë”,  shpjegoi Jimenez.

“Duke mbajtur ndërtesën ose misionin diplomatik nën rrethim të vazhdueshëm dhe duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin, qeveria venezuelase tregon se sa e gatshme është të thyejë rregullat ndërkombëtare për të arritur qëllimin e saj”.

Një tortë ditëlindjeje e konfiskuar

Fillimisht, Meda ishte një nga gjashtë figurat e opozitës që fshiheshin në ambasadë.

Midis tyre ishte Fernando Martinez Mottola,  ish-ministër transporti, i cili kaloi nëntë muaj në ambasadë përpara se të negocionte largimin e tij me autoritetet venezueliane në dhjetor.

Ai vdiq në shkurt në moshën 70-vjeçare, siç raportohet nga një sulm në tru.

“Vdekja e Fernandos la shenja të pashlyeshme te të gjithë ne përgjithmonë”, tha Meda.

Për Medën ishte një kujtim i brishtësisë së jetës dhe gjendjes së tyre. “Më mungon jeta: të ndajë jetën e përditshme me familjen dhe miqtë e mi. Më dhemb shumë kur e  shoh familjen time duke vuajtur”.

Edhe kënaqësitë e thjeshta u janë mohuar atyre brenda ambasadës.

Omar Gonzalez, një ish-kongresmen dhe lider i opozitës, festoi ditëlindjen e tij të 75-të në fillim të këtij muaji brenda rezidencës diplomatike. Familja e tij ishte përpjekur t’i dërgonte një përzgjedhje ushqimesh dhe një tortë ditëlindjeje, por ato u konfiskuan nga policia. Edhe shoferi i dërgesës u ndalua për një kohë të shkurtër.

“Ishte një moment zemërthyes që përmblodhi realitetin e situatës sonë këtu; gëzimet e vogla shpesh ndërpriten pa paralajmërim nga agjentët e tiranisë. Pavarësisht kësaj, unë përpiqem të mbaj humorin”, shkroi ai në një postim në platformën e mediave sociale X.

Por në izolim, Meda shpjegoi se grupi është “bërë një familje”.

Pedro Urruchurtu - koordinatori ndërkombëtar për grupin opozitar Comando ConVzla - është reflektues, i përpiktë dhe i organizuar, tregoi ajo. Ndërkohë, Claudia Macero, gazetare, vendosmërinë dhe energjinë e saj e kanalizon përmes muzikës.

“Ajo këndon si një engjëll, dhe kjo është gjithashtu diçka që qeveria Maduro nuk mund t’ia ndalojë asaj”,  tha Meda.

Ajo e përshkruan Humberto Villalobos si shpikës, rregullues dhe kuzhinier që çdo ditë përgatit drekën për grupin me çfarëdo përbërësish që ata kanë në dispozicion. Ai mbolli fara në kopsht - por për shkak të mungesës së ujit, toka tani është tharë.

Uji në zonë shpërndahet me kamion, por dërgesat në ambasadë janë sporadike dhe shteti kufizon sasinë e ujit që furnizohet në ndërtesë.

“Por Humberto nuk e ka humbur shpresën se shpejt do të shfaqet një degëz borziloku ose rigon”,  tha Meda. “Ai ka një talent të lindur për ta parë gotën gjysmë plot”.

Por Urruchurtu tha se ai dhe të tjerët vazhdojnë të luftojnë me izolimin. Në një mesazh audio në WhatsApp, ai shpjegoi se ishte ngushëlluar duke lexuar filozofinë stoike.

“Një ditë, thjesht ju marrin nga shtëpia juaj, dhe kjo është e gjitha - ju nuk ktheheni”,  tha Urruchurtu.

“Kjo lloj zhvendosjeje është tepër e vështirë, e bërë edhe më e vështirë nga fakti që familjet tona janë kaq larg. E gjithë situata shumë e ndërlikuar”.

“A do ta njoh atë?”

Jorge Olavarria de Halleux, bashkëshorti i Medës, numëron ditët qëkur nuk e ka parë gruan e tij. Ata janë të martuar për më shumë se 30 vjet dhe ai i tha Al Jazeera-s se ajo është dashuria e jetës së tij.

Pavarësisht se flet me të një ose dy herë në ditë, ai ende shqetësohet për plagët që kjo situatë mund t’u shkaktojë atyre të dyve.

“Unë pyes veten: A do të ndryshojmë? A do të ndryshojë ajo? A do ta njoh?” tha ai.

Disa nga miqtë e tij të mirë nuk e kanë telefonuar prej disa muajsh. Jorge dyshon se ata kanë frikë se qeveria e Venezuelës mund t’i shpallë ata fajtorë për shoqërim - edhe pse ai këmbëngul se ai, gruaja dhe miqtë e tij nuk kanë bërë asgjë të keqe.

“Unë mendoj se ata më kanë fshirë nga listat e tyre, nga WhatsApp-i i tyre, sepse jam një rrezik për ta”, shpjegoi ai.

Vajza e tyre Eugenia Olavarria, e cila jeton në Spanjë, nuk i ka parë prindërit e saj që nga janari 2024. Por ajo i kupton veprimet e nënës së saj si një shenjë sakrifice.

Edhe Eugenia flet herë pas here me nënën në telefon.

“Duke e njohur atë, e di që ajo më mbron nga disa prej tyre. Unë duhet të gjej mënyra për t’i pranuar gjërat dhe të di se nëna ime është mjaft e fortë për të përballuar çdo gjë që i ndodh”.

Por familja është e frustruar nga mungesa e veprimeve ndërkombëtare për të siguruar kalimin e sigurt të Medas nga Venezuela.

Ndërsa një mori vendesh, përfshirë SHBA-në, nuk i kanë njohur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Venezuelës në 2024 dhe i kanë cilësuar si të jashtëligjshme, veprimi diplomatik ka mbetur i vakët. Dhe figurat e opozitës si Meda ndihen të braktisur.

“Pavarësisht gjithçkaje, ne jemi ende këtu duke shpresuar se diplomacia ndërkombëtare do të shërbejë më shumë se sa si një deklaratë”,  tha Meda për Al Jazeeran. “Ne jemi peng të një regjimi që ka kaluar të gjitha vijat e kuqe”.

Phil Gunson, analist i lartë në Grupin joqeveritar të krizave, tha se “angazhimi i kufizuar” me administratën e Maduros duket të jetë strategjia për pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar.

Kjo përfshin administratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili më parë kishte një marrëdhënie të tensionuar me liderin venezuelas, madje duke ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e tij.

“Aleatët e jashtëm të opozitës janë të humbur dhe se dinë se si të merren me situatën tani që rruga elektorale duket se është bllokuar”,  tha Gunson për Al Jazeeran.

Meda, megjithatë, mban shpresën se një ditë, së shpejti, ajo do të shikojë lindjen e diellit në liri.

“Venezuela do të jetë e lirë”, tha Meda, “dhe pas gjithçkaje që ka kaluar, do të vijë koha për ta rindërtuar”.