Botë

Mblidhen sot në Itali ministrat e Jashtëm të G7-s, Ukraina e Gaza në krye të agjendës

Antony Blinken

Foto: Associated Press

Ministrat e Jashtëm nga vendet kryesore të industrializuara të botës do të mblidhen të hënën, duke pasur në krye të agjendës luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme që po hyjnë në faza vendimtare.

Shpresat për ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gaza dhe Liban do të jenë pika të rëndësishme të takimit të G7-s jashtë Romës, që po mbledh ministra nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, raporton AP.

Në ditën e parë të mbledhjes dyditore të hënën, G7-ës do t'i bashkohen ministra nga Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe.

“Me partnerët do të diskutohen mënyrat për të mbështetur përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Gaza dhe Liban, nismat për të mbështetur popullsinë dhe promovimin e një horizonti politik të besueshëm për stabilitet në rajon”, ka deklaruar ministria e Jashtme italiane.

I ashtuquajturi grupim "Quint" i SHBA-së, Arabisë Saudite, Jordanisë, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ka punuar për të finalizuar një plan për Gazën dhe ka njëfarë urgjence për të bërë përparim përpara se administrata Trump të vijë në pushtet në janar. 

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump pritet të ndjekë një politikë që favorizon fuqishëm Izraelin mbi aspiratat e palestinezëve.